Sport

Ndeshje vendimtare në Ferizaj e në Mitrovicë

Ferizaj do të kërkojë fitore për ta shmangur rënien. Dukagjini synon ta ruajë vendin e katërt dhe i duhen pikët. Trepça ’89 shpreson në fitore ndaj Prishtinës dhe në gabimin e ferizajasve për të dalë në vendin e tetë që dërgon në plejaut. Ndërkohë, Prishtina dëshiron pikët e plota dhe shpreson në gabimin e klinasve për të dalë në vendin e katërt.

Këto katër skuadra takohen mes vete të dielën nga ora 15:00 në kuadër të xhiros së 36-të, të fundit për edicionin 2022/2023 të Superligës së Kosovës në futboll.

Ferizaj e pret Dukagjinin, ndërsa Trepça ’89 e pret Prishtinën.

Ferizaj aktualisht është i teti me 38 pikë, një më shumë se Trepça ’89 e vendit të nëntë. Dallimi mes vendit të tetë e të nëntë është shumë i madh. Vendi i tetë siguron ndeshjen e plejautit, vendi i nëntë dërgon në kategorinë e dytë.

Ferizaj synon pikët e plota ndaj Dukagjinit për të siguruar plejautin, pavarësisht rezultatit të ndeshjes në Mitrovicë. Ndërkohë 89-shi synon fitore ndaj Prishtinës dhe shpreson në gabimin e Ferizajt, ndonëse në xhiron e fundit rrallë ka gabime të tilla.

Tri ndeshjet tjera të xhiros së fundit nuk kanë ndonjë vlerë të madhe garuese. Fokusi do të jetë në Ferizaj dhe në Mitrovicë.

Albin Krasniqi, mesfushori që ka bërë punë te madhe te Ferizaj në këtë edicion, është optimist për fitore ndaj Dukagjinit. Ai llogarit edhe në përkrahjen e madhe të shikuesve. Por, e respekton shumë skuadrën e Dukagjinit, që e ka një shans për të garuar në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Në fakt vendi i katërt në Superligë pritet të dërgojë në Evropë, marrë për bazë që Prishtina nuk është licencuar ende për gara evropiane. Gjilani i vendit të tretë është finalist i Kupës. Gjilani në Evropë pritet të kalojë nga Kupa dhe kështu pozita e katërt në kampionat po ashtu do të ofrojë biletën për gara evropiane.

Aktualisht Dukagjini është i katërti me 50 pikë, ndërsa Prishtina e pesta me 48 pikë. Por Dukagjini është më komod pasi edhe nëse Prishtina e kalon, ka gjasë për Evropë. Kjo, pasi Prishtina nuk është licencuar ende dhe të premten iu refuzua ankesa.

“Jemi përgatitur gjatë javës maksimalisht. Duke e ditur formën tonë në shtëpi dhe duke e parë mobilizimin e gjithë qytetit, shpresojmë shumë të dalim me rezultat pozitiv. Është e vërtetë që Dukagjini ka ndoshta njërën prej ekipeve më të mira në ligë dhe me plot meritë është aty ku është. Shpresojmë shumë që të jemi në ditën më të mirë dhe të dalim me rezultat pozitiv. Siç dihet e kemi objektivin tonë dhe shikojmë vetëm punën tonë”, ka thënë Krasniqi i Ferizajt.

Dukagjini është në seri prej tri fitoreve. Tjetër sukses synon në Ferizaj.

“Po, është lojë shumë e vështirë. Por ne si ekip jemi përgatitur dhe e dimë rëndësinë e lojës dhe pozicionit ku jemi aktualisht. Ne duhet ta sigurojmë vendin e katërt, që të kemi shpresa se mund të na dërgojë në Evropë”, është shprehur sulmuesi i Dukagjinit, Altin Merlaku.

Punë më të vështirë do të ketë Trepça ’89. Pos fitores ndaj Prishtinës, 89-shit i duhet rezultat i favorshëm nga takimi në Ferizaj.

Sulmuesi ganez Ebenezer Adu-Kwaw ishte i shkurtër në deklaratën e tij para ndeshjes vendimtare.

“Nuk po mendoj shumë. Ne vetëm do të hyjmë me gjitha forcat që i kemi dhe pjesën tjetër t’ia lëmë Zotit. Do të jetë ndeshje që duhet fituar patjetër”, është shprehur ai.

Te Prishtina së fundi më aktuale ishte tema e licencimit. Pa licencë nuk i mjafton as kupa e as pozita e katërt, nëse e humb finalen, për të marrë pjesë në Ligën e Konferencës.

“Jemi përgatitur për lojën e nesërme për të marrë maksimumin dhe ta zëmë vendin e katërt nëse kemi mundësinë. Jemi të vetëdijshëm që është një ndeshje shumë e vështirë, por besoj se do t’ia dalim. Për finalen e Kupës do të mendojmë nga e hëna e tutje”, ka deklaruar kapiteni i Prishtinës, Gledi Mici.

Ndeshja Gjilani – Ballkani, me marrëveshje të dy klubeve, do të luhet në Suharekë për shkak të festës që ka përgatitur kampioni i Kosovës, Ballkani. Ballkani javën e kaluar e fitoi titullin e dytë rresht.

Superliga – 36

E diel (15:00)

Gjilani – Ballkani

Trepça ’89 – Prishtina

Drenica – Drita

Malisheva – Llapi

Ferizaj – Dukagjini

1. Ballkani 35 20 12 3 62:32 72

2. Drita 35 19 10 6 60:30 67

3. Gjilani 35 13 14 8 34:34 53

4. Dukagjini 35 14 8 13 40:35 50

5. Prishtina 35 12 12 11 45:34 48

6. Malisheva 35 11 10 14 49:50 43

7. Llapi 35 11 10 14 42:47 43

8. Ferizaj 35 9 11 15 29:49 38

9. Trepça ’89 35 9 10 16 44:61 37

10. Drenica 35 6 5 24 26:59 23