Sport

Trepça vazhdon serinë, shënon fitore të vështirë ndaj Yllit

KB Trepca

Trepça e ka shënuar fitoren e 14-të rresht në Superligën e Kosovës në basketboll. Të premten mbrëma në “Minatorin” e mbushur me shikues, Trepça e mposhti Golden Eagle Yllin me rezultatin 78:73.

Ndeshja i takoi xhiros së 21-të, ndërsa kishte fund dramatik. 19 sekonda para fundit, Jan Palokaj i Yllit qëlloi për tri pikë, për të ngushtuar rezultatin në 75:73. 14 sekonda para fundit, Darnell Edge i Trepçës shënoi vetëm një gjuajtje të lirë për 76:73. Kështu suharekasit kishin aksionin e fundit për të barazuar rezultatin.

Jalen Nesbitt gjuajti shpejtë për tri pikë, por nuk ishte i saktë. Në anën tjetër Drilon Hajrizi shënoi dy gjuajtje të lira për 78:73. Nesbitt kishte edhe një gjuajtje të pasaktë fare në fund. Më pas u krijua një tollovi në parket, por nuk pati ndonjë incident të madh, ndonëse në fushën e lojës hynë edhe persona të tjerë pos lojtarëve.

Ylli e nisi ndeshjen fuqishëm duke krijuar epërsi 20:5. Çereku i parë përfundoi 26:17 për suharekasit. Çereku i dytë ishte thuajse i barabartë (18:17) dhe kështu Golden Eagle Ylli në pushim të gjatë shkoi me epërsi prej tetë pikësh, 43:35.

Vendasit reaguan në çerekun e tretë, të cilin e fituan 23:13 dhe më pas mbajtën epërsinë edhe në çerekun e fundit.

Qendra Jordy Tshimanga ishte bindshëm më i miri te Trepça me 18 pikë e 19 kërcime. 18 pikë i shënoi edhe Drilon Hajrizi, që kishte pesë kërcime. Darnell Edge ndeshjen e përfundoi me 16 pikë, pesë kërcime e pesë asistime.

Nate Grimes ishte më i miri tek Ylli me 18 pikë e tetë kërcime. Fundori Alonzo Verge Jr i kishte 20 pikë e pesë asistime, por edhe pesë topa të humbur.

Humbjen e fundit Trepçës ia kishte shkaktuar pikërisht Ylli, në kuadër të xhiros së shtatë. Edhe ajo ndeshje ishte luajtur në Mitrovicë.

Trepça udhëheq në tabelë me 40 pikë. Ylli i ka 33 pikë.

Të shtunën u zhvillua edhe ndeshja mes Proton Cable Prizrenit dhe Istogut. Fitore me rezultatin 87:79 shënoi skuadra prizrenase.

Të shtunën prej orës 17:00 është ndeshja e fundit e xhiros së 21-të. Në Gjakovë takohen Vëllaznimi e Sigal Prishtina. Është kjo xhiroja e fundit para turneut final të Kupës së Kosovës. Turneu i Kupës zhvillohet javën e ardhshme në Gjakovë.