Trepça është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy humbjeve rresht, skuadra mitrovicase e mposhti Golden Eagle Yllin në Suharekë. Ndeshja e së dielës i ka takuar xhiros së 27-të, përkatësisht të parafundit të Superligës në basketboll.
Ndeshja kishte fund dramatik, ndërsa festuan mitrovicasit pas fitores 91:85.
Kampioni në fuqi, Ylli, e fitoi çerekun e parë me rezultat 27:19. Epërsinë e mbajti edhe në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 28:26. Por mitrovicasit u kthyen në çerekun e tretë duke e fituar me rezultat 23:14. Në çerekun e katërt loja ishte e hapur. Trepça krijoi epërsi deri në dhjetë pikë, 82:72, e më pas Ylli doli para, 84:82.
1.27 minuta para fundit, Ylli kishte epërsi 85:84, por vendasi bënë gabime rresht, ndërsa lojtarët e Trepçës konkretizuan aksionet për të shënuar fitore.
Drilon Hajrizi u shqua te Trepça me 15 pikë e dhjetë kërcime. Erjon Kastrati i kishte 18 pikë e tri kërcime. Ken Brown i shënoi 14 pikë, ndërsa 12 i kishte Jamal Artis.
Edhe
Trepça fiton bindshëm ndaj Yllit në Suharekë
Yllit nuk i mjaftoi ndeshja e madhe e Henrik Shirkos. Ai realizoi 23 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Bashir Ahmed i kishte 19 pikë e pesë kërcime, ndërsa Gëzim Morina realizoi 16 pikë e tetë kërcime.
Ylli ka 19 fitore e tetë humbje, përkatësisht 46 pikë. Trepça renditet e katërta me 43 pikë, përkatësisht me 16 fitore e 11 humbje. “Xehetarët” startojnë në plejof prej vendit të katërt, ndërsa pozita përfundimtare e Yllit caktohet në xhiron e fundit.