Sport

Trepça vazhdon me fitore në Superligë

Trepça ka vazhduar me fitore në elitën e basketbollit të Kosovës.

Të shtunën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Trepça mposhti Yllin me rezultatin 80:61, për fitoren e shtatë rresht në Superligë.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 14-të.

Ecurinë e fitoreve të njëpasnjëshme, Trepça e kishte nisur pas disfatës nga Ylli.

Në këtë seri, Trepça ka mposhtur Istogun, Sigal Prishtinën, Pejën, Vëllaznimin e Proton Cable Prizrenin e Bashkimin.

Ylli ishte dominues në çerekun e parë të cilin e fitoi 25:16, por më pas, mitrovicasit u kthyen në lojë dhe përveç që e përmbysën, fituan në fund me 19 pikë epërsi.

19:6 në të mirë të Trepçës përfundoi periudha e dytë, me mysafirët që shkuan në pushim me epërsi prej katër pikëve. Periudhën e tretë, Trepça e mbylli 27:15, ndërsa edhe atë të fundit e fitoi me tri pikë epërsi, 18:15.

Trajneri i Trepçës, Adis Beçiragiq, është ndarë shumë i lumtur me shfaqjen që e dhanë basketbollistët që ai i drejton, pas përfundimit të periudhës së parë.

“Në periudhën e parë ata na dominuan me të vërtetë. Më pas ne filluam të mblidhnim topa në kërcime dhe luajtëm mirë në fazën ofensive. Mendoj se lojtarët e mi merituan këtë fitore. E përgëzoj edhe Yllin për paraqitjen dhe po ashtu tifozët e mrekullueshëm këtu në palestër në Suharekë”, ka thënë Beçiragiq.

Nga ana tjetër, trajneri i Yllit, Kostas Flevarakis, ka shfaqur dëshirën për përforcime. Ai ka thënë se në skuadër duhet ardhur edhe lojtarë të tjerë, për shkak se është e vështirë të luhet vetëm me dy lojtarë shtatlartë afër koshit.

“Lodhjen e shfrytëzuan me agresivitet, gjatësi, fuqi e kualitet lojtarët e Trepçës dhe ishte shumë e vështirë ndaj tyre. Ne duhet të përforcohemi me lojtarë afër koshit dhe ata duhet të kenë më shumë kohë për stërvitje për t’u përshtatur me grupin. I përgëzoj të dyja ekipet për paraqitjen”, ka thënë Flevarakis.

Darnell Edge ishte më i miri në fitore te Trepça me 17 pikë, katër kërcime e shtatë asistime. Kontribut të madh dhanë edhe Mikaile Tmushiq dhe Kevin Bracy-Davis. Tmushiq pati 13 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime, kurse Bracy-Davis shënoi 17 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. Drilon Hajrizi pati 13 pikë e shtatë kërcime.

Yllit nuk i ndihmoi paraqitja e mirë e Jalen Nesbitt, që shënoi 23 pikë, tetë kërcime e një asistim.

Chris Harris u dallua me lojë të mirë po ashtu te vendësit me gjashtë pikë, dhjetë kërcime e një asistim, teksa Dajuan Graf pati 10 pikë e një kërcim.

Me këtë fitore, Trepça prinë në tabelë me 26 pikë, pas 12 fitoreve e 2 disfatave.

Ylli mbetet me 22 pikë, pas tetë fitoreve e gjashtë disfatave. Ylli kishte dy fitore të njëpasnjëshme para këtij dueli. Mposhti Vëllaznimin dhe Prizrenin.