Sport

Trepça fiton pa telashe ndaj Bashkimit në Prizren

Trepça nuk ka hasur në shumë telashe për ta fituar ndeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Trepça e mposhti Bashkimin me rezultatin 99:77. Ishte fitorja e dytë në këtë arenë për skuadrën mitrovicase.

Një javë më parë e kishte mposhtur Proton Cable Prizrenin me rezultat 108:88. Trepça tani ka bilanc prej pesë fitore e një humbje. Është e dyta në tabelë me 11 pikë. Humbjen e vetme e ka nga Peja që udhëheq në tabelë me pikë maksimale, 12. Ndaj Bashkimit, Trepça e dëshmoi cilësinë që në çerekun e parë të cilin e fitoi 33:18.

Edhe çereku i dytë u takoi mitrovicasve, 23:19. Bashkimi u mundua të reagoi në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 23:20. Prizrenasit u afruan në rezultat, por jo mjaftueshëm sa për të rrezikuar fitoren. Kështu çereku i katërt ishte thuajse formalitet dhe u takoi sërish mysafirëve, 23:17. Drilon Hajrizi udhëhoqi Trepçën me 20 pikë, nëntë kërcime e katër asistime. Brevin Galloway debutoi me 20 pikë e gjashtë asistime. 20 pikë e katër asistime i kishte Isaiah Ross. Te Bashkimi u shqua Grant Lozoya me 21 pikë e katër kërcime. Eric Copes i kishte 19 pikë e tetë kërcime. Bashkimi ka bilanc prej tri fitore e tri humbje.