Sport

Trepça fiton derbin ndaj Prishtinës

Ngulitjet e Andrew Gordonit e Samir Zekiqit konfirmuan fitoren e Trepçës në derbin ndaj Sigal Prishtinës. Dueli i luajtur të premten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, e që i takoi xhiros së 20 të Superligës së Kosovës në basketboll, u mbyll me shifrat 94:90.

Megjithatë, fituesi i këtij takimi u vendos pas vazhdimit prej pesë minutave pasi koha e rregullt përfundoi pa fitues, 80:80.

Me këtë fitore, Trepça ngrihet në kuotën e 34 pikëve sa i ka edhe Golden Eagle Ylli që është lider por ka një ndeshje më pak të luajtur.

Ndërkohë, Prishtina mbetet e katërta në tabelë me 30 pikë. Dueli i luajtur në Mitrovicë ishte i fortë, me epërsinë që bartej nga njëra në tjetrën anë, ndonëse Trepça për një moment pati avantazh prej nëntë pikëve.

Drilon Hajrizi me 21 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime ishte më i dalluari te Trepça, i përcjellë nga Corban Collisa (19), Amin Hot (16) dhe Andrew Gordon me 15 pikë e dhjetë kërcime.

Te Prishtina, më efikasi ishte Kenny Brown me 29 pikë të realizuara.