Mitrovicë, 20 janar - Trepça '89 ka hyrë në fazën e dytë të përgatitjeve për stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll. “Minatorët” po përgatiten në fushën me bari sintetik që ndodhet buzë lumit Ibër.
Synimi i skuadrës mitrovicase është mbetja në Superligë, ndërkaq do të kërkojë të jetë befasi edhe në Kupën e Kosovës që, sipas klubit, është rruga më e shkurtër për dalje në Evropë. Trajneri i 89-shit, Shpëtim Idrizi, thotë se është i kënaqur me punën që po bëhet dhe beson se ekipi i tij do të jetë i gatshëm për pjesën e dytë të kampionatit që nis muajin e ardhshëm.
“Të them të drejtën jam jashtëzakonisht i kënaqur me lojtarët, me mënyrën e punës dhe me performancën e tyre. Një plus i madh është se ata kanë punuar edhe gjatë pushimit për ta mbajtur formën. Atë që ne ua kemi rekomanduar, ata e kanë kryer dhe janë mjaft mirë në këtë aspekt. Kemi punuar nga dy herë në ditë dhe deri më tani gjithçka po shkon sipas planit që e kemi paraparë”, tha Idrizi të mërkurën për KOHËN.
Nga dita e shtunë, Trepça ’89 do të zhvendoset në Durrës të Shqipërisë, për fazën e fundit të përgatitjeve. Trajneri Idrizi thotë se do t’i zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore në Shqipëri në mënyrë që të shohë formën e skuadrës së tij para fillimit të kampionatit.
“Fazën e tretë të përgatitjeve do ta kryejmë në Durrës të Shqipërisë. Do të nisemi të shtunën. Atje do të mundohemi t’i kemi tri apo katër ndeshje miqësore për ta parë gjendjen aktuale të lojtarëve dhe të shohim se ku kemi arritur, si në aspektin fizik e po ashtu edhe në atë taktik. Mendoj që kjo fazë do të na shërbejë shumë për vazhdim të kampionatit që nis muajin e ardhshëm, e që besoj se ekipi do të jetë gati”, deklaroi Idrizi.
Ish-futbollisti i 89-shit, i cili tashmë një vit është në krye të ekipit, ka folur edhe për largimet e disa lojtarëve, ardhjet e reja, si dhe për synimet që kanë në pranverë. Sipas tij, do të mundohen që të marrin sa më shumë pikë në ndeshjet e para në pranverë. Idrizi thotë se do të jenë të gatshëm të shkaktojnë befasi edhe në Kupë.
“I kemi larguar tre lojtarë nga skuadra. Deri më tani e kemi huazuar Albin Kaprën nga Ballkani. Besoj që të paktën edhe një apo dy lojtarë do t’i bashkohen ekipit për t’u kompletuar sa më mirë. Në stinorin vjeshtor kemi humbur jashtëzakonisht shumë pikë, ndoshta edhe fati nuk ka qenë me ne. Në pranverë do të mundohemi që të mbledhim sa më shumë pikë dhe pse jo ta ndjekim edhe Kupën nëse e shohim të arsyeshme”, theksoi Idrizi.
Deri më tani, ekipi nga Mitrovica ka huazuar Albin Kaprën nga Ballkani. Kapra zbulon se e ka zgjedhur 89-shin, pasi njihet si klub që u jep hapësirë të rinjve. Ai është i gatshëm për ta dhënë kontributin e tij dhe për ta ndihmuar ekipin drejt synimeve që ka.
“Jam huazuar te Trepça ’89 deri në fund të sezonit, në mënyrë që si lojtar i ri që jam, të kem sa më shumë lojë. Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë, ekipi është i ri dhe jemi përshtatur shumë mirë mes vete dhe shpresoj që të kemi një sezon të mirë. Unë kam ardhur për të luajtur dhe për t’i ndihmuar ekipit. Pse jo, të shkojmë edhe në finale të Kupës”, u shpreh Kapra.
Njëri ndër lojtarët kryesorë të Trepçës '89, Arbnor Muja, beson se do të jetë gati për fillimin e stinorit pranveror.
“Mendoj që në Shqipëri do të bëjmë nja tri-katër ndeshje miqësore dhe do të shikojmë se ku jemi në aspektin fizik dhe po ashtu edhe në atë taktik. Kjo do të na shërbejë si pasqyrë për të parë ku jemi, para vazhdimit të sezonit”, tha Muja.
Sulmuesi nga Mitrovica thekson se mbijetesa as që do të diskutohet, derisa pranon që do të tentojnë edhe triumfin në Kupën e Kosovës.
“Me punë, përkushtim dhe seriozitet, do të vazhdojmë njëjtë sikurse në sezonin vjeshtor. Mbijetesën as që e mendojmë si mundësi, kurse Kupën do ta ndjekim deri në fund për shkak se është rruga më e shkurtër për të dalë në Evropë”, pranoi Muja.
Në seancën stërvitore të së mërkurës, Trepçës ’89 i munguan tre lojtarët afrikanë: Prince Marley, Charles Sie Bismark dhe Vicent Okonkëo, të cilët ndodhen në Turqi për t’u pajisur me viza, e pastaj me leje qëndrimi për Kosovë. Nuk ishte i gatshëm të stërvitet as kapiteni Muharrem Jashari, që ka një lëndim. Deri më tani në këtë afat kalimtar të dimrit nga Trepça ’89 janë larguar tre lojtarë: Albert Kaqiku, Ervin Kaçar dhe Kreshnik Nebihu.
89-shi ndodhet në vendin e shtatë me 21 pikë të mbledhura pas 18 ndeshjeve të zhvilluara. Ndërsa, në 1/8 e finales së Kupës së Kosovës në futboll do të takohet me skuadrën e Ferizajt më datën 10 shkurt.