Trepça ’89 u eliminua nga 1/8 e finales së Kupës së Kosovës nga Feronikeli 74, që të shtunën në Drenas fitoi me rezultatin 1:0.
Megjithatë, mitrovicasit po e shohin mundësinë, që këtë betejë ta fitojnë në tavolinë me rezultat zyrtar.
Trepça ’89 madje ka paraqitur ankesën në Komisionin e Garave të FFK-së.
“Në afatin e paraparë sipas Rregullores së Garave të FFK-së, Nenit 62 paragrafi 1, Klubi i Futbollit ‘Trepça ‘89’ nga Mitrovica, kërkon nga Komisioni i Garave të mos e regjistrojë ndeshjen e zhvilluar për Kupën e Kosovës datë 04.02.2023 në mes të Feronikeli 74 dhe Trepça ’89 në Drenas, pasi që ka dyshime të bazuara se në protokollin zyrtar të prezantuar nga klubi Feronikeli 74, janë aktivizuar lojtarë që nuk janë të regjistruar konform rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve”, shkruan ndër të tjera klubi mitrovicas.
Tutje, mitrovicasit në ankesën e paraqitur, kanë thënë se “nuk mundet dhe nuk ka asnjë mundësi të regjistrohen lojtarët në një klub nëse të njëjtit i është bllokuar afati kalimtar nga organet e FIFA-s, Komisioni për statusin e lojtarëve të FIFA-s”.
Sipas mitrovicasve, lojtarët të cilët u aktivizuan ndesh me rregulloret e FIFA-s dhe FFK-së janë Donat Hasani, Fitim Susuri, Adem Maliqi, Endrit Baholli, Shpresim Zogu dhe Armend Blakqori.