Sport

Liria kërkon nga FFK-ja t’i hiqen deri në nëntë pikë Feronikelit ‘74

Klubi i futbollit Liria, ka bërë ankesë në Komisionin e Apelit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Liria e Prizrenit ka kërkuar që të miratohet ankesa e saj dhe t’i hiqen deri në nëntë pikë klubit nga Drenasi, Feronikeli '74.

Ankesa është bërë më 15 shkurt, një ditë pasi Komisioni i Garave i FFK-së miratoi ankesën e Trepçës ’89 dhe konfirmoi se Feronikeli ’74 kishte aktivizuar gjashtë lojtarë që nuk ishin regjistruar sipas rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve.

Feronikeli ‘74 kishte fituar 1:0 ndeshjen e një të tetës së finales së Kupës së Kosovës ndaj Trepçës ’89, të luajtur më 4 shkurt në Drenas. Ai rezultat fillimisht nuk ishte regjistruar nga Komisioni i Garave, ndërsa javën e kaluar ky Komision e ka regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar, 3:0, në të mirë të ekipit mitrovicas.

Komisioni i Garave pati konfirmuar se për klubin nga Drenasi në atë ndeshje kanë luajtur pa të drejtë Armend Blakqori, Donat Hasani, Fitim Susuri, Adem Maliqi, Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu.

Sipas Komisionit, deri më 4 shkurt nuk kishte njoftim për regjistrimin e këtyre lojtarëve përmes platformës FIFA Connect.

Pas atij vendimi, ka reaguar edhe Liria. Në klubin prizrenas kanë konfirmuar se kanë bërë ankesë dhe krahas pikëve kërkojnë edhe dënime tjera. Liria pretendon se është dëmtuar si “palë e tretë”.

“Liria ka ushtruar ankesë në adresë të Komisionit të Apelit të FFK-së, shkalla e dytë, në afat të paraparë. Ankesa ka të bëjë lidhur me vendimin e Komisionit të Garave për ndeshjen e 1/8 të finales të Kupës së Kosovës, në mes të Feronikeli ’74 dhe Trepçës ’89. Presim që Komisioni i shkallës së dytë (Apeli) të marrë vendim të drejtë dhe të përmirësojë gabimet e nxjerra në vendimin e Komisionit të Garave. Pra, ndër të tjera Feronikelit ‘74 duhet hequr deri në nëntë pikë, krahas dënimeve të tjera”, ka thënë sekretari i Lirisë, Bashkim Kajdomçaj.

Me angazhimin e gjashtë lojtarëve ndaj 89-shit, Liria pretendon se Feronikeli ‘74 ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të Rregullores së garave, Propozicioneve të Garave, Rregullores Disiplinore dhe vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike.

Në ankesë, klubi Liria ka cituar nenet 64 dhe 67 të rregullores disiplinore. Ndër të tjera, në këtë nen thuhet se lojtari dënohet me ndalesë loje në kohëzgjatje prej tre muaj deri në një vit dhe dënim financiar nga 500 deri 2000 euro. Po ashtu, anëtari i komisionit për regjistrim, me dijen e të cilit është kryer regjistrimi jo i rregullt, dënohet me ndalesë së kryerjes së funksionit prej një deri në dy vjet dhe gjobë nga 500 deri 2000 euro. Kurse klubi me dijen e të cilit është bërë regjistrimi jo i rregullt, dënohet me marrjen e deri në 9 pikë dhe dënim me të holla nga 1000 deri 5000 euro.

“Pra, këtu klubi vendas, Feronikeli ’74, më vetëdije ka inkuadruar futbollistët e lartcekur, duke bërë shkelje të neneve 64 dhe 67 të Rregullores Disiplinore. Andaj, duke pasur parasysh të cekurat më lart, organit përkatës të shkallës së dytë i propozojmë të marrë vendim si në dispozitiv të ankesës”, shkruan në fund të ankesës të datës 15 shkurt.

Në klubin e Feronikelit nuk janë në dijeni për ankesën e Lirisë.

“Nuk jam në dijeni, tash do të shoh se çfarë kanë dashur”, ka thënë kryetari i klubit Feronikeli ’74, Erlind Krasniqi për KOHËN të martën.

Po të martën KOHA i është drejtuar edhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Nuk ka marrë përgjigje. FFK-ja po ashtu nuk ka njoftuar të ketë shqyrtuar ankesën e Lirisë.

Feronikeli ’74 luan në Ligën e Parë të Kosovës. Është klub i ri, që shfrytëzon të gjitha asetet e klubit nga Drenasi, Feronikeli, zyrtarisht i shuar. Feronikeli ’74 ka startuar me gara në Ligën e Parë, falë një fuzionimi që vazhdon të mbetet shumë i dyshimtë. Klubi i sapoformuar ishte fuzionuar me klubin Fortuna të Ligës së Dytë dhe me një vendim të pasqaruar ndonjëherë nisi garat në Ligën e Parë.

Feronikeli ‘74 është lider në Grupin A të Ligës së Parë dhe në rrugë të mirë për kalim në Superligë. Liria është në vendin e dytë me 27 pikë, katër më pak se Feronikeli ’74.