Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tre milionë kërkesa për bileta për finalen e Botërorit, 1.4 milionë për duelin Angli-SHBA

Shtëpia e Futbollit Botëror – FIFA ka pranuar tre milionë kërkesa për bileta për finalen e Kampionatit Botëror “Katari 2022” që nis në muajin nëntor. E kërkesa të mëdha ka pasur edhe për të ndjekur disa nga ndeshjet më të rëndësishme të Botërorit në kuadër të fazës së grupeve, ndonëse ka probleme në lidhje me aftësinë e vendit të vogël të Gjirit Persik për të akomoduar tifozët.

Të dhënat e zbuluara nga FIFA kanë treguar se ka pasur 2.5 milionë kërkesa për bileta për të parë duelin ndërmjet Argjentinës dhe Meksikës, që zhvillohet më 26 nëntor në stadiumin “Lusail” që ka një kapacitet prej 80.000 ulëseve. 1.4 milionë tifozë shpresojnë të shohin Anglinë të përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës një ditë më parë në stadiumin “Al Bayt” me kapacitet prej 60.000 ulësesh.

Në përgjithësi, për turneun që nis më 21 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor ka pasur më shumë se dy milionë kërkesa për bileta nga SHBA-ja, Anglia dhe Katari pas fazës së dytë të shitjeve. Një short i rastësishëm do të përdoret për të ndarë biletat për ndeshjet ku kërkesa tejkalon kapacitetin. Numri i konsiderueshëm i kërkesave për bileta mund të pasqyrojë dëshirën për të parë më shumë se një ndeshje në ditë, me tifozët që kërkojnë të mbushin kohën ndërmjet shikimit të përfaqësueses së tyre duke ndjekur ndeshje të tjera në një vend ku të gjitha stadiumet janë brenda një ore udhëtimi me transport publik nga zemra e kryeqytetit Doha. Me të gjitha stadiumet e ndërtuara rreth kryeqytetit, turneut më të madh të futbollit i mungon shumëllojshmëria e atraksioneve turistike në krahasim me Kampionatet Botërore që u mbajt në Brazil në vitin 2014 dhe Rusi katër vjet më vonë.

Më shumë se 23 milionë kërkesa për bileta janë pranuar në përgjithësi nga FIFA. Akomodimi i vizitorëve është gjithashtu sfidues duke pasur parasysh se sa i vogël është vendi me shumicën e hoteleve të ndërtuara rreth Dohas. Uebsajtet për prenotimet e hoteleve nuk tregojnë kapacitet në tregun e hapur për netët e datave 25 dhe 26 nëntor, kur do të zhvillohen ndeshjet e fazës së grupeve Argjentinë-Meksikë dhe Angli-SHBA. Gjithashtu, nuk kishte dispozicion në faqen zyrtare të akomodimit për Kupën e Botës në hotele, apartamente, vila ose në anijet turistike që janë afruar për turneun.

Vende të lira të dukshme nuk duket të ketë as për të qëndruar në Doha për natën e finales së Botërorit më 18 dhjetor që zhvillohet në stadiumin “Luisal”, i cili ende nuk është testuar me një ndeshje përpara fillimit të turneut, i cili starton pas 200 ditësh. Ka pasur tre milionë kërkesa për bileta, për ndeshjen finale, pavarësisht se çmimet janë rritur deri në 46 për qind nga kostoja e tifozëve ndërkombëtarë që e ndoqën finalen e vitit 2018 të fituar nga Franca në Moskë, me biletat më të shtrenjta që shkojnë deri në 1 600 dollarë në Katar.