Tifozët e Argjentinës organizuan edhe të premten demonstrata jashtë një hoteli në Doha, duke kërkuar që federata argjentinase t'i ndihmojë të marrin biletat për finalen e Kupës së Botës. Mes një zemërimi në rritje përpara ndeshjes së dielës kundër kampiones në fuqi, Francës, tifozët e Argjentinës thanë se biletat zyrtare më të lira po shiten në tregjet ilegale për më shumë se 4000 dollarë. Dhjetëra tifozë u mblodhën jashtë hotelit në Doha, ku është selia e Federatës së Futbollit të Argjentinës në këtë Botëror.
Të enjten mbrëma pati shkëmbime fjalësh jo të këndshme me zyrtarët jashtë hotelit. Disa tifozë mbanin pankarta ku shkruhej “AFA na jep bileta”.
Federata e Futbollit të Argjentinës më në fund ra dakord për një takim me një delegacion prej tre tifozësh.
Secilit vend që u kualifikua në çerekfinale iu dha një numër shtesë biletash për ndeshjet që kishin. Por me shumë tifozë që erdhën nga Argjentina dhe Franca për ndeshjen finale, nuk u bë asnjë njoftim nëse do të vihen në dispozicion më shumë bileta.
Stadiumi “Lusail” pranon rreth 88,900 njerëz, por më shumë se 30,000 argjentinas raportohet të jenë të pranishëm në Katar. Shumë kanë marrë para hua për të qenë në shtetin e Lindjes së Mesme për të parë tentimin e fundit të Lionel Messit për të fituar titull të Botës. Negociatat e biletave po zhvillohen në një mori grupesh edhe në aplikacionin “WhatsApp”. Disa tifozë argjentinas treguan mesazhe ku kërkoheshin më shumë se 4000 dollarë për biletat e fundit me vlerë reale 750 dollarë.
Biletat më të shtrenjta, për të cilat FIFA thotë se duhet të kushtojnë 5,850 dollarë, ofrohen për më shumë se 14,000 dollarë.
Roberto Bascur, 53 vjeç, i cili ka qenë në Katar që nga fillimi i turneut, tha se kishte blerë bileta për çdo ndeshje të Argjentinës nga burime jozyrtare.
“Kush shiste jashtë stadiumit kishte të paktën 15-20 bileta”, insistoi ai.
Cintia Echanis, 51 vjeçe, tha se protestuesit donin qasje në biletat me çmimin zyrtar.
“Ajo që ndodh është se rishitja është rreth 5000 dollarë dallim dhe është shumë për ne që kemi qenë këtu që nga fillimi i turneut dhe që kemi paguar shumë bileta. Ne nuk duam probleme. Ajo që duam si argjentinas është që të kemi shansin për të brohoritur sërish për Argjentinën”, shtoi ajo.
Krerët e Federatës argjentinase të premten nuk kanë dhënë informacione se sa bileta i kanë në dispozicion për tifozët. Megjithatë, burime të afërta me federatën insistojnë se ato do të mund të dalin në shitje të shtunën pas presionit të madh nga tifozët. Ndeshja mes Argjentinës dhe Francës, të dielën, nis në orën 16:00. Do të jetë paraqitja e fundit e Messit në Kupën e Botës. 35-vjeçari ditë më parë e ka konfirmuar këtë.