Grupi më i madh i tifozëve të Anglisë i ka kërkuar federatës së futbollit të këtij vendi që të bëjë presion mbi FIFA-n për të ulur çmimin e biletave të Kupës së Botës në futboll.
Shoqata e Tifozëve të Futbollit (FSA) vlerëson se struktura e çmimeve për turneun e vitit të ardhshëm në SHBA, Kanada e Meksikë është “skandaloze”.
Kjo shoqatë i është bashkuar asaj “Football Supporters Europe” duke kërkuar që procesi i shitjes të ndalet, në mënyrë që grupet e tifozëve të mund të zhvillojnë bisedime me Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) mbi politikën e saj të çmimeve.
“Ne mbështesim ‘Football Supporters Europe’ në thirrjen për ndalimin e shitjes së biletave dhe i bëjmë thirrje Federatës së Futbollit të punojë me federatat e tjera për të sfiduar drejtpërdrejt këto çmime të turpshme”, shkruan në një deklaratë të FSA.
BBC Sport ka kontaktuar me FIFA-n, që nuk ka komentuar ende.
Shtrenjtimi i madh i biletave u zbulua të enjten kur FIFA publikoi detajet e ndarjes së biletave për grupet zyrtare të tifozëve të secilit vend.
Në Kupën e Botës 2022 në Katar biletat për të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve kishin çmime fikse prej 68 funte (77 euro), 164 funte dhe 219 funte.
Por për ndeshjet e Anglisë kundër Kroacisë dhe të Skocisë kundër Brazilit në Botërorin e vitit të ardhshëm biletat kushtojnë rreth 198 funte (225 euro), 373 funte (424 euro) dhe 523 funte (595 euro).
Çmimi rritet ndjeshëm për ndeshjet e fazës nokaut. Biletat për çerekfinalet e të gjitha ekipeve kanë çmim prej 507, 757 dhe 1073 funte.
Ndërkohë për finale bileta më e lirë ka çmim prej 3.119 funte, përkatësisht prej 3.550 eurosh. Është çmim shtatë herë më i lartë se në Botërorin në Katar.
Nuk ka lirim për bileta për fëmijë apo grupe të tjera.
Biletat më të lira janë në kategorinë “vlerë për mbështetësit”, të cilën FSA e quajti “fyerje qesharake për tifozin mesatar”. Kjo organizatë tha se ndien sikur të jetë goditur me “thikë pas shpine”, duke shtuar se tifozët besnikë pritet të mungojnë në SHBA, Kanada e Meksikës. Për shumicën e tifozëve çmimi do të jetë i papërballueshëm.
“FIFA ka vendosur ta bëjë Botërorin ngjarje që ka të bëjë me paratë dhe elitën që mund ta përballojë atë. Për FIFA-n besnikëri nuk paraqet tifozi punëtor që udhëton mijëra kilometra në përkrahje të ekipit të tij në kualifikime anembanë kontinentit. Loja që duhet të jetë për të gjithë, tani është vetëm për ata që mund ta përballojnë atë”, thuhet në reagimin e organizatës së tifozëve anglezë.
Për të shikuar të gjitha tetë ndeshjet në Botëror, nëse përfaqësuesja arrin në finale, një tifoz duhet të paguajë 5.225 funte. Natyrisht nëse blihen biletat më të lira. Për Katar, kjo shifër ishte 1.466 funte, ndonëse ishin shtatë ndeshje e jo tetë deri në fund.
Federata Angleze është në dijeni se tifozët e Anglisë janë të zemëruar dhe do ta përcjellë shqetësimin në FIFA.
Presioni publik ndaj FIFA-s po rritet vazhdimisht, por ajo nuk ka bërë ndonjë koment publik. Kjo mund të ndryshojë nëse një numër i shoqatave nacionale të tifozëve ngrenë së bashku shqetësimin. BBC Sport ka mësuar se FIFA po pret të shohë sa njerëz do të jenë në short për bileta, ndërsa parashikon kërkesë të madhe. Derisa biletat janë të shtrenjta për tifozët në Evropë, në FIFA arsyetohen se çmimet janë përshtatur me tregun amerikan.
FIFA pret të ardhura rekord nga Botërori i vitit të ardhshëm.