Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Trashëgimia e “Kaiserit” për futbollin botëror

Franz Beckenbauer, i konsideruar gjerësisht si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave dhe një prej vetëm tre personave që fituan Kupën e Botës si lojtar dhe trajner, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Vdekja e Beckenbauerit është kumtuar nga familja e tij të hënën. Ai ka vdekur të dielën pas problemeve shëndetësore që e kanë munduar viteve të fundit.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se bashkëshorti dhe babai ynë Franz Beckenbauer ndërroi jetë dje, i qetë dhe i rrethuar nga familja e tij. Ju kërkojmë që të jeni në gjendje të mbani zi në heshtje dhe të përmbaheni nga çdo pyetje”, thuhet në njoftimin e familjes së Beckenbauerit.

Beckenbauer është ikonë e futbollit gjerman që ka regjistruar 104 ndeshje për Gjermaninë Perëndimore. Si kapiten i Gjermanisë Perëndimore, Beckenbauer e udhëhoqi përfaqësuesen drejt lavdisë në vitin 1974 duke triumfuar në Kampionatin Botëror. Të njëjtin sukses, por si trajner, Beckenbauer e përsëriti 16 vjet më vonë, në turneun e mbajtur në Itali. Vetëm Mario Zagallo, i cili vdiq të dielën, dhe Didier Deschamps, së bashku me Beckenbauerin e kanë shijuar suksesin në Botëror në cilësinë e lojtarit dhe trajnerit. Beckenbauer fitoi shumë tituj të tjerë, duke përfshirë një “hat-trick” të Kupave Evropiane me Bayern Munichun në mesin e viteve 1970, kur ai gjithashtu krijoi reputacionin si një mbrojtës i jashtëzakonshëm. I njohur me nofkën “Der Kaiser”, Beckenbauer ishte sa elegant aq edhe dominues në lojën e tij. E tillë ishte siguria e tij me topin, duke e bërë që ta zotërojë rolin modern të qendërmbrojtësit, i cili njihet tani si libero. Për më tepër, ky rol i krijuar është meritë kryesisht e Beckenbauerit.

Jeta e Beckenbauerit pas tërheqjes tërësisht nga futbolli u dëmtua nga akuzat për korrupsion me 71-vjeçarin e atëhershëm të marrë në pyetje nga prokurorët zviceranë në mars të vitit 2017 mbi dyshimin për korrupsion të lidhur me Kupën e Botës 2006, e cila u mbajt në Gjermani. Beckenbauer ishte kryesues i ofertës fillestare të Gjermanisë në vitin 2000 dhe ishte pjesë e Komitetit Organizativ të turneut. Kjo edhe ishte periudha e errët në jetën e Beckenbauerit, pasi pjesa tjetër e saj ishte kryesisht e lavdishme.

Edhe Bayerni po e vajton humbjen e Beckenbauerit, njeriut që e bëri klubin të madh Sport Bayerni po e vajton humbjen e Beckenbauerit, njeriut që e bëri klubin të madh

I lindur në Giesling, një lagje e klasës punëtore të Munihut, në shtator të vitit 1945, Beckenbauer u rrit si një tifoz i ekipit Munich 1860, por në vend të kësaj u bashkua me të rinjtë e Bayern Munichut që nuk ishte shumë i popullarizuar atëbotë. Ai fillimisht ishte një qendërsulmues dhe bëri debutimin për klubin në vitin 1964, kur skuadra ishte në nivelin e dytë të Gjermanisë Perëndimore. Nisi si anësor i krahut të majtë. Ai përfundimisht u zhvendos në qendër të mbrojtjes dhe pasi e ndihmoi Bayernin të arrinte promovimin në Bundesligë, u bë kapiten përpara edicionit 1968/69, duke e çuar skuadrën drejt titullit të kampionit. Ai u bë figurë frymëzuese për Bayernin duke e ndihmuar të fitojë edhe tre tituj tjerë vendorë midis viteve 1972 dhe 1974, si dhe trofeve evropianë (1974-1976). Në moshën 20-vjeçare, Beckenbauer bëri debutimin për Gjermaninë Perëndimore në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës kundër Suedisë. I riu shkëlqeu në fitoren 2:1 në Suedi që edhe vulosi pjesëmarrjen e Gjermanisë Perëndimore në turneun e vitit 1966 në Angli. Gjermania Perëndimore humbi ndaj nikoqirëve në stadiumin “Wembley”, por një periudhë e artë për shtetin ishte në prag dhe me Beckenbauerin si kapiten dhe mbrojtës dominues, gjermanët fituan Kampionatin Evropian të vitit 1972 para se të fitonin titullin e botës, në shtëpi, dy vjet më vonë.

Duke fituar çmime të tjera, përfshirë “Topin e Artë” në vitin 1972 dhe 1976, Beckenbauer u tërhoq nga futbolli aktiv në vitin 1984 pas një periudhe me ekipin New York Cosmos në Ligën e Futbollit të Amerikës së Veriut. Në të njëjtin vit ai u emërua trajner i Gjermanisë Perëndimore, pavarësisht se nuk kishte përvojë të mëparshme në këtë zeje. Beckenbauer e udhëhoqi vendin e tij deri në finalen e Botërorit të vitit 1986, përpara se ta fitojë këtë turne katër vjet më vonë në Itali. Pas kësaj, pasoi një periudhë e shkurtër në krye të Olympique Marseillet në Francë përpara se Beckenbauer të kthehej në Bayern, duke e çuar klubin drejt titullit të Bundesligës në 1994 dhe Kupës UEFA dy vjet më vonë.

Beckenbauer gjithashtu ka qenë president në Bayernit dhe nënkryetar i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB).

Një lojtar dhe menaxher i shkëlqyer, trashëgimia e Beckenbauerit është njollosur disi nga akuzat e lartpërmendura për korrupsion. Në vitin 2014 ai u godit gjithashtu me një pezullim 90-ditor nga FIFA për dështimin për të ndihmuar një hetim mbi korrupsionin e dyshuar në ofertat e Kupës së Botës 2018 dhe 2022.

Edhe Bota e futbollit i përkulet legjendës Beckenbauer Sport Bota e futbollit i përkulet legjendës Beckenbauer

Beckenbauer e përjetoi rëndë edhe vdekjen e të birit të tij, Stephan, në vitin 2015. Që nga ajo kohë ai ka pasur vazhdimisht probleme me gjendjen shëndetësore. Kishte sëmundje të syve, sulm në zemër dhe sëmundjen e Parkinsonit.

“Der Kaiser” ka vuajtur shumë viteve të fundit, por do të mbahet gjithmonë në mend si një legjendë e futbollit gjerman dhe ikonë e futbollit botëror.