Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bota e futbollit i përkulet legjendës Beckenbauer

Bota e futbollit është bashkuar në përkujtim të figurës së pakrahasueshme të Franz Beckenbauerit. Ikona, gjermani, vdiq të dielën në moshën 78-vjeçare. Beckenbauer është prej futbollistëve më të mëdhenj në histori. Kontributi i tij për zhvillimin e futbollit vlerësohet i madh.

Lothar Matthaeus, që ishte kapiten i Gjermanisë në vitin 1990, kur Beckenbauer ishte selektor, ka folur me respekt maksimal për “Kaiserin”.

“Tronditja është e madhe, ndonëse e kam ditur se Franzi nuk po ndihej mirë. Vdekja e tij është humbje për futbollin dhe për gjithë Gjermaninë, po ashtu. Ai ishte prej më të mëdhenjve si lojtar e si trajner, por po ashtu edhe jashtë fushës. Franz ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm në futboll, dhe është njohur nga e gjithë bota. Kushdo që e ka njohur e di se sa i madh ishte. Një shok i mirë na la. Do të më mungojë, do të na mungojë të gjithëve”, ka thënë Matthaeus.

Beckenbauer e ka fituar dy herë “Topin e Artë” si lojtari më i mirë në botë. Është i vetmi që e ka fituar Botërorin si kapiten dhe si përzgjedhës.

Është paraqitur si mbrojtës, ndërsa ka luajtur 103 ndeshje për Gjermaninë Perëndimore.

Bayerni, ku Beckenbauer i kaloi 14 vjet si lojtar dhe kishte dy periudha si trajner, ka shkruar se “bota e Bayernit nuk është e njëjtë – është më e errët, më e heshtur e më e varfër”.

Bayerni ka shkruar se “Kaiseri” ishte unik dhe se pa të klubi nuk do të ishte gjiganti që është sot. Kanë reaguar edhe shumë drejtues e ish-drejtues të Bayernit.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Bernd Neuendorf, ka thënë se Gjermania mbeti pa një futbollist unik e një njeri të dashur.,

“’Kaiseri’ ishte një nga më të mirët që sporti ynë ka pasur ndonjëherë. Ai ka vendosur standarde në fushë me elegancën e vizionin që kishte. Ai la trashëgimi të jashtëzakonshme për Federatën gjermane dhe për futbollin në përgjithësi”.

Ngushëllime për vdekjen e Beckenbauerit kanë shprehur edhe personalitete të tjera të futbollit, klube e federata.

Artikuj të ngjashëm