Sulmuesi i krahut, Adama Traore pritet të transferohet te skuadra e Tottenhamit gjatë këtij muaji, ka raportuar “Daily Star” të martën. Bëhet e ditur se Tottenhami është favorit për shërbimet e tij dhe Wolverhamptoni ka pranuar ofertën e ekipit londinez.
Për Traoren, Tottenhami ka ofruar 30 milionë euro dhe sulmuesi pritet të zyrtarizohet brenda kësaj jave. Traore shihet si përforcim i duhur për Tottenhamin nga trajneri Antonio Conte, i cili ka insistuar në transferimin e tij. 25-vjeçari ka kontratë me Wolvesin deri në vitin 2023 kurse këtë sezon ka shënuar vetëm një gol në 22 paraqitje në të gjitha garat.
Krahas Tottenhamit, interesim për Traoren pati treguar edhe Barcelona.
Traore prej vitit 2015 luan në Angli, fillimisht te Aston Villa pastaj te Middlesbrough kurse prej vitit 2018 është pjesë e Wolverhamptonit.