Ish-trajneri i Belgjikës, Roberto Martínez, u angazhua për të drejtuar Portugalinë, dhe të hënën u zotua të respektojë historinë e Cristiano Ronaldos me ekipin. Spanjolli Martinez zëvendëson Fernando Santosin, i cili u largua në dhjetor pas eliminimit të Portugalisë nga Maroku në çerekfinale të Kupës së Botës. Santos u largua mes polemikave për lënien e Ronaldos në stol për ndeshjet e fazës eliminatore të turneut në Katar.
“Do të flas me të gjithë. Lista e 26 lojtarëve nga Botërori i fundit do të jetë pika ime fillestare dhe Cristiano ishte pjesë e kësaj liste”, tha Martinez. “Ai ka qenë me Përfaqësuesen për 19 vjet dhe meriton respektin që ne të ulemi dhe të flasim. Ne duam të njohim të gjithë lojtarët dhe Cristiano është njëri prej tyre”.
Martinez i dha fund qëndrimit gjashtëvjeçar te Belgjika pas eliminimit zhgënjyes në fazën e grupeve në Kupën e Botës. Ai sërish dështoi të drejtonte “brezin e artë” të këtij vendi drejt një triumfi. Martinez te Portugalia ka një ekip me lojtarë cilësorë si Bernardo Silva, Bruno Fernandes dhe Joao Felix, por është edhe mes dyshimeve për të ardhmen e 37-vjeçarit Ronaldo, i cili tani po luan në Arabinë Saudite.
“Është detyra ime të përpiqem t'u jap të gjithë lojtarëve një mundësi dhe të respektoj ata që janë tashmë me ekipin, përfshirë Cristiano Ronaldon”, tha Martinez. “Është një proces që duhet të ndodhë natyrshëm. Kemi shumë punë dhe shumë përgjegjësi dhe do të duhet të marrim disa vendime të rëndësishme për ekipin”.
Martinez tha se janë 54 lojtarë portugezë në pesë ligat më të mira evropiane që janë 28 vjeç ose më të rinj dhe të cilët do të shikohen patjetër nga afër.
“Lojtarët portugezë gjithmonë përshtaten mirë në ligat kryesore dhe u japin klubeve të tyre konkurrencë të madhe”, tha Martinez. “Jam i emocionuar për mentalitetin fitues të lojtarëve portugezë. Qëllimi është të vazhdojmë të ëndërrojmë për gjëra të mëdha”.
49-vjeçari Martinez e udhëhoqi Belgjikën drejt vendit të tretë në kupën e botës “Rusia 2018” dhe në çerekfinale të Kampionatit Evropian 2020. Belgët u renditën në vendin e parë në ranglistën e FIFA-s për katër vjet gjatë mandatit të Martinezit, por kurrë nuk fituan turne të madh, pavarësisht se kishin lojtarë të nivelit të lartë si Eden Hazard, Kevin de Bruyne dhe Romelu Lukaku, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Belgjika.
Martinez ka thënë se kishte marrë vendimin për t'u larguar nga Belgjika para Kupës së Botës në Katar. Ai ishte gjithashtu drejtor teknik i Përfaqësueses që nga viti 2020. Martinez luajti dhe punoi si trajner në Angli përpara se të punësohej nga Belgjika në vitin 2016. Arritja e tij më mbresëlënëse në menaxhimin e klubeve ishte fitimi i Kupës FA me Wigan Athletic në vitin 2013. Klubi u largua nga Premier League në të njëjtin edicion, me Martinez që mori drejtimin e Evertonit, ku qëndroi tre vjet përpara se të shkarkohej. 68-vjeçari Santos u largua pas tetë vjetësh në krye të Portugalisë, të cilën e kishte udhëhequr drejt triumfeve në Kampionatin Evropian 2016 - trofeu i parë i madh i vendit - dhe në Ligën e Kombeve në vitin 2019. Ai arriti një marrëveshje me Federatën për t'u larguar dy vjet para përfundimit të kontratës.
“Është gjithmonë më e lehtë të zëvendësosh një trajner të madh”, tha Martinez. “Ne mund të përpiqemi të vazhdojmë gjërat e mëdha që Santos i kishte bërë. Jam optimist se do të arrijmë shumë”.