Sport

Cristiano Ronaldo sërish i lumtur me fanellën e Portugalisë

Cristiano Ronaldo - Portugalia

Cristiano Ronaldo po ndihet sërish si në shtëpinë e tij. Superyllit iu deshën vetëm dy ndeshje që të bënte paqe me Përfaqësuesen e Portugalisë dhe të tregonte se ende nuk ka marrë fund në nivelin ndërkombëtar. Në kthimin e tij pas një Botërori zhgënjyes dhe një lëvizjeje të diskutueshme në futbollin saudit, 38-vjeçari Ronaldo shënoi katër gola në dy ndeshjet e para të Portugalisë në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.

Ronaldo tregoi se mbetet lideri që tifozët janë mësuar ta shohin me fanellën e Portugalisë. Ronaldo shënoi dy herë në fitoren 6:0 ndaj Luksemburgut të dielën, tri ditë pasi shënoi dy gola në fitoren 4:0 ndaj Lihtenshtajnit, kur u bë lojtari me më së shumti paraqitje ndërkombëtare - 197. “Dy ndeshje, dy fitore”, shkroi kapiteni i Portugalisë në rrjetet sociale.

“I lumtur që kam kontribuar në një fillim shumë pozitiv të përfaqësueses sonë. Shkojmë përpara”. Golat erdhën kundër ekipeve të vogla dhe autsajdere të Evropës, por dukej se ishin të mjaftueshme për të kthyer besimin e Ronaldos dhe rolin e tij si titullar me Portugalinë. Ronaldo ishte në lot herën e fundit që u largua nga fusha me Portugalinë, pas humbjes nga Maroku në çerekfinalen e Kupës së Botës në Katar vitin e kaluar. Ai u la në stol nga trajneri i atëhershëm Fernando Santos në ndeshjet e fazës së eliminimit. Zhgënjimi në Botërorin “Katari 2022”, bashkë me vendimin për të pranuar një marrëveshje fitimprurëse nga klubi saudit Al Nassr, e kishte vënë në dyshim të ardhmen e Ronaldos te Portugalia. Ai tha javën e kaluar se nuk ishte i sigurt nëse do të luante përsëri në nivel ndërkombëtar dhe u kthye vetëm pasi reflektoi pas konsultimeve me familjen dhe kuptoi se nuk ishte ende koha për t’u “dorëzuar”. Ka të ngjarë që rol të rëndësishëm në vendimin e tij për të vazhduar të luajë ishte ardhja e trajnerit Roberto Martinez për të zëvendësuar Santosin pas Botërorit. Spanjolli u zotua të respektojë historinë e Ronaldos dhe sulmuesi tha se mirëpriti “ajrin e pastër” në ekip. Martinez tha se ishte i emocionuar me qëndrimin e treguar nga Ronaldo në dy ndeshjet e para të tij në krye të Portugalisë.

“Ronaldo është një lojtar unik dhe sjell shumë përvojë në dhomat e zhveshjes”, tha ish-trajneri i Belgjikës. “Ai është një referencë dhe është i përgatitur të jetë lider dhe kapiten i kësaj përfaqësueseje”. Me katër golat në fillim të epokës së Martinezit, Ronaldo përmirësoi rekordin e tij ndërkombëtar të shënimeve në 122 gola, 13 më shumë se ish-sulmuesi iranian Ali Daei. Paraqitja e 198-të ndërkombëtare e Ronaldos të dielën e dërgoi atë dy ndeshje para Bader Al-Mutawa të Kuvajtit. Portugalia, kampionia e Evropës nga viti 2016, i luan dy ndeshjet e radhës kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe Islandës në muajin qershor.

Skuadra kryeson Grupin J në kualifikimet për “Euro 2024” me gjashtë pikë, dy më shumë se Sllovakia. Dy të parët në secilin grup do të kualifikohen në turneun që mbahet në Gjermani verën e ardhshme. Dhe, nëse Ronaldo mbetet po aq i lumtur dhe i motivuar sa është tani, ai me siguri do të jetë aty për të ndihmuar Portugalinë të fitojë një tjetër trofe evropian.