Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tottenham transferon Bentancurin dhe e huazon Kulusevskin

Skuadra e Tottenhamit ka zyrtarizuar dy përforcime, të cilët i ka siguruar nga skuadra e Juventusit. Mesfushori Rodrigo Bentancur dhe sulmuesi i krahut, Dejan Kulusevski do të jenë pjesë e ekipit që bën gara në Premier League.

Bentancur është transferuar te Tottenhami për 25 milionë euro dhe ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2026 ndërsa Kulusevski është huazuar për 18 muaj dhe ekipi anglez për huazimin e tij, do të paguajë dhjetë milionë euro.

Bentancur 24-vjeçar ishte pjesë e Juventusit prej vitit 2017 kurse këtë sezon në 26 ndeshje ka regjistruar tri asistime. Ndërkohë, Kulusevski 21-vjeçar ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime për Juventusin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2020 nga Parma.