Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tjetër befasi e madhe në Botëror, eliminohet kampionja

Kanadaja ka fituar ndeshjen dramatike ndaj Spanjës dhe kështu e ka eliminuar kampionen në fuqi të botës.

Të dielën në ndeshjen e fundit të fazës së dytë të Kupës së Botës në basketboll, Kanadaja mposhti Spanjën me rezultat 88:85. Ndeshja ishte shumë dramatike, ndërsa kampionja në fuqi, Spanja, lëshoi epërsi të lartë. Kanadaja ka fituar Grupin L me nëntë pikë dhe kualifikohet në çerekfinale. Prej pozitës së dytë në çerekfinale ka kaluar Letonia, që kishte fituar ndaj Spanjës dy ditë më parë. Edhe Letonia avancon me nëntë pikë. Spanja dhe Brazili përfunduan në pozitat tre e katër me nga tetë pikë dhe nuk avancojnë në çerekfinale. Pas çerekut të parë të barabartë, spanjollët fituan çerekun e dytë me 10 pikë dallim, 27:17.

E fituan edhe çerekun e tretë, 25:23, por kanadezët nuk u dorëzuan. Çerekun e katërt e fituan 27:12 për triumf dramatik me shifrat 88:85. Shai Gilgeous-Alexander udhëhoqi Kanadanë me 30 pikë, shtatë asistime e katër kërcime. Willy Hernangomez i kishte 25 pikë e gjashtë kërcime për Spanjën. Ndeshjet çerekfinale të Botërorit janë: Italia – SHBA-ja, Gjermania – Letonia, Lituania – Serbia, Kanadaja – Sllovenia. Ndeshjet luhen të martën e të mërkurën.

Artikuj të ngjashëm