Kanadaja ka turpëruar Francën në nismë të Kampionatit Botëror të basketbollit. Të premten në Xhakarta të Indonezisë, Kanadaja fitoi me 30 pikë dallim ndaj Francës, që llogaritet superfuqi e basketbollit ndërkombëtar. Kanadezët e fituan me rezultat 95:65 ndeshjen e Grupit H.
Kanadezët kanë shkëlqyer sidomos në çerekun e tretë, të cilin e fituan me rezultat 25:8. Fitoren bindëse e konfirmuan në çerekun e katërt, të cilin e fituan 27:17.
Shai Gilgeous-Alexander shkëlqeu te kanadezët me 27 pikë, 13 kërcime e gjashtë asistime. 18 pikë i realizoi Kelly Olynyk.
Evan Fournier ishte më i miri te Franca me 21 pikë e tri kërcime.
Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Letonia fitoi 109:70 ndaj Libanit. Të dielën Libani luan me Kanadanë, ndërsa Franca me Letoninë.
Ndërkohë Gjermania nuk ka lejuar befasi duke fituar 81:63 ndaj Japonisë. Lituania po ashtu shënoi fitore të pritur. E mposhti Egjiptin me rezultatin 93:67.
Republika Dominikane fito ndaj Filipineve me rezultatin 87:81. Kjo ndeshje u zhvillua para 38 mijë e 115 shikuesve, që është rekord.