Titull i sakrificës dhe rezistencës ndaj pushtuesit - kështu e cilësojnë ish-futbollistë, trajnerë e donatorë, suksesin më të madh në histori të klubit të Dukagjinit nga Klina.
Skuadra u rikthye në Superligë pas 16 vjetësh, vetëm javën e kaluar, kur në xhiron e fundit të Ligës së Parë, zuri vendin e dytë, vetëm pas dështimit të Besës, që të fitonte ndaj Kikës.
Por, pak kush e di, që anëtari i ri i Superligës, është një herë kampion i Kosovës, në vitin 1994, dhe atë, në kohën më të vështirë, nëpër të cilën po kalonte vendi, raporton KTV.
Gjatë rrugës për të arritur trofeun, e besa shpeshherë edhe në stërvitje, klinasit, përballeshin me shumë probleme duke u arrestuar nga policia serbe, derisa po shkruanin historinë.
Që nga pavarësimi i futbollit kosovar në vitin 1990, policia serbe pengonte zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe Dukagjini është detyruar të zhvendoset në Zllakuqan të Klinës.
Arat e këtij fshati, u shndërruan në fusha futbolli dhe kjo është bërë e mundur falë dy familjeve, Lleshaj dhe Përnokaj, të cilat i kishin ofruar pronat e tyre për të luajtur futboll.
Për “Sportin në KTV”, Gjok Lleshaj dhe Luz Përnokaj, kujtojnë kohën e vështirë, kur ishin të rrethuar edhe nga forcat serbe.
Dy persona që ishin nismëtarë për t’u organizuar dhe që e kanë mbajtur gjallë Dukagjinin në kohën më të vështirë, ishin Arbon Desku dhe i ndjeri, Mark Përnokaj, të cilët dhanë gjithçka që klinasit të shpallen kampionë.
Desku kujton momentet e vështira për të arritur trofeun, që në atë kohë kishte më së paku rëndësi.
Disa nga futbollistët që ia siguruan trofeun e vetëm Dukagjinit, Pal Kolaj, Blerim Krasniqi dhe Gëzim Maxharaj, thonë se janë krenarë që edhe në kushte të vështira, ia dolën.
Edhe në atë kohë, nuk kanë munguar nofkat për futbollistët, e Gëzim Maxharrajn të gjithë e quanin si Franko Baresi, ish-mbrojtësi i njohur i Milanit.
Dukagjini e rrëmbeu trofeun më të çmueshëm në futbollin e Kosovës, duke e mposhtur në finale Flamurtarin 1:0, e në krye të skuadrës ishte trajneri Rafet Prekazi, i cili e kujton atë kohë si rezistencë ndaj pushtuesit.
Që nga viti 1994, skuadra nga Klina nuk ka arritur asnjë trofe tjetër, përveç finales së Kupës në vitin 1995, ku ishte mposhtur nga Flamurtari, 2:1.