Sport

Synimet e hershme të Dukagjinit – Kupa dhe katër pozitat e para në Superligë

Te klubi i futbollit Dukagjini ende po e shijojnë momentin, përkatësisht kthimin në Superligën e Kosovës. Periudha festive pritet të përfundojë shpejt, për ta nisur punën për edicionin e ardhshëm që përfundimisht do të jetë më sfidues.

Dukagjini nuk do të jetë në Ligën e Parë, por në shoqëri elite – në Superligë. Kryetari i klubit nga Klina, Fabian Veseli, i ka zbuluar për KOHËN synimet që i kanë te Dukagjini për edicionin e ri, që është paraparë të nisë në muajin gusht. Dukagjini është kthyer në Superligë pas një edicioni të kaluar në Ligën e Parë. Kthimin në elitën e futbollit kosovar, Dukagjini e arriti të premten pas triumfit në ndeshjen e barazhit ndaj Trepçës ’89. Veseli e vlerëson të mundimshëm dhe të vështirë rrugëtimin për t’u kthyer në elitë. Por, ai insiston se Dukagjini e ka merituar kthimin në Superligë.

“Ende nuk kemi folur për plane e synime. Nuk do të flasim edhe shumë e as nuk do t’u bëjmë presion për ta arritur doemos ndonjë sukses. Do të shkojmë me të njëjtin ritëm siç kemi bërë në Ligën e Parë, pra me pak fjalë, por me shumë punë. Ne si synim do ta kemi mesin e tabelës, për të ardhur deri te lufta për titull. Por, ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë presion”, ka thënë Veseli të dielën për KOHËN.

Skuadra e Dukagjinit e mbylli edicionin në pozitën e dytë në Grupin A të Ligës së Parë, derisa më pas e fitoi ndeshjen e barazhit të kësaj lige ndaj Flamurtarit, duke e fituar të drejtën e rikthimit në elitë nëpërmjet ndeshjes së barazhit me skuadrën që kampionatin në Superligë e mbylli në pozitën e tetë, Trepçën ’89. Këtë të fundit e mposhti nëpërmjet penalltive. Dukagjini ishte pjesë e Superligës në edicionin 2019/2020. Madje, kjo skuadër e ka fituar edhe një titull të kampionit në edicionin 1993/1994, kurse tri herë, përfshirë edhe këtë edicion, ka qenë në finale të Kupë së Kosovës. Veselit i mbetet merak që nuk arriti ta fitojë trofeun e Kupës, ku në finale Dukagjini humbi nëpërmjet penalltive nga Llapi. Por, ai thekson se mund të jetë sërish finalist, e pse jo edhe triumfues.

“Tashmë e dimë se si është të jesh pjesë e Superligës dhe si zhvillohet gara në Superligë. Do të ndryshojmë mënyrë dhe tash kemi edhe më shumë përvojë, e po ashtu edhe një shtab teknik të mirë. Do të shohim se cilat janë kërkesat e trajnerit bashkë me shtabin. Por, besoj se do të jetë një fillim i fuqishëm nga ana jonë. Nuk është larg mendsh ta shohim veten edhe në finale të Kupës dhe duke e fituar atë. Por, ne do të jemi të fokusuar shumë edhe në kampionat, duke besuar në katër vendet e para”, është shprehur Veseli.

Te Dukagjini janë paralajmëruar edhe ndryshime, e po ashtu edhe përforcime. I pari që u është bashkuar klinasve është sulmuesi nigerian, Henry Chibueze. Chibueze është emër i njohur në Kosovë, pasi së fundmi ishte pjesë e Vëllaznimit të Gjakovës, ndërsa ka luajtur edhe për Trepçën ’89 dhe Lirinë. “Ende nuk kemi nisur me planin për ndryshime në skuadër. Do të ulemi nesër për t’i definuar gjërat. Jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve dhe shtabit teknik, në krye me trajnerin Armend Dallku. Do të shohim se cilat janë kërkesat e Dallkut, ndërsa në bazë të kërkesave të tij ne edhe do ta shohim planin buxhetor. Do të varet krejt nga transferimi i lojtarëve”, ka thënë Veseli. Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, është shprehur i lumtur me rikthimin në Superligë, ndërsa për planet thotë se do të ulen të bisedojnë pas pushimeve. “Qyteti i Klinës e ka merituar Superligën, pasi kemi luftuar fort në dy fronte dhe nuk jemi dorëzuar. E kemi merituar Superligën dhe për këtë dua t’i falënderoj lojtarët për atë se çfarë treguan në këtë ndeshje. Për planet në Superligë do të flasim shumë shpejt”, ka thënë Dallku.