Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tifogrupet e skuadrave ukrainase i bashkohen luftës kundër Putinit

Një gjendje e jashtëzakonshme është në fuqi në Ukrainë për gati tri javë. Jeta e përditshme në këtë vend ka ndryshuar tërësisht. Nuk ka pushim vikendi për ukrainasit që nga pushtimi i vendit të tyre nga Rusia. Ndërsa, sporti nuk i intereson më askujt në Ukrainë. Kanalet e futbollit në televizionin ukrainas “Futbol 1/2/3”, për shembull, tregojnë lajme nga fushat e betejës në vend të futbollit. Mirëpo, tifozët e futbollit nuk po i përcjellin lajmet për luftën dhe nuk po qëndrojnë duarkryq në këtë situatë. Tifogrupet e skuadrave elitare të Ukrainës, tashmë, po njoftojnë në internet se janë bashkuar me ushtrinë ukrainase si luftëtarë vullnetarë. Në fakt, pak pas fillimit të luftës në Ukrainë, tifozët ultras “White Boys Club” të Dynamo Kievit bënë thirrje për rezistencë.

“Ne jemi gati të luftojmë. Ne vrasim të gjithë pushtuesit që vijnë në vendin tonë. Është një thirrje për të gjithë njerëzit e nderit: shkoni në Ambasadën ruse dhe protestoni. Shkoni te Qeveria juaj dhe urdhërojini të luftojnë kundër armikut të përbashkët. Ukraina është një mburojë për Evropën. Së bashku ne jemi një forcë”, ishte postimi i tyre në internet.

Një njoftim dhe apel tjetër, së fundmi ka ardhur nga një grup tjetër i tifozëve. Anëtarët e tifogrupit “Hoods Hoods Klan”, që përkrahin skuadrën Arsenal Kyiv, nëpërmjet një video ka njoftuar se tashmë i kanë dalë në mbrojte vendlindjes së tyre. Po ashtu, ata kanë bërë thirrje te grupet e tjera që të bashkohen në këtë luftë kundër Rusisë së Vladimir Putinit.

“Ukraina jonë po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Vendi ynë përballet me një armik të përjetshëm që ka kërcënuar vullnetin tonë dhe pavarësinë tonë prej shekujsh”, shkroi tifogrupi i Arsenalit të Kievit.

E kësaj thirrjeje duket se po i përgjigjen edhe grupet e tjera të tifozëve të futbollit. Dëshira për të mbrojtur vendin është shumë e madhe. Në fakt, kjo ka bërë që rivaliteti mes tifozëve të mbetet në plan të dytë, pasi ata janë bashkuar në një kauzë të vetme – luftën kundër Rusisë. Qëkur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, urdhëroi mobilizim të përgjithshëm, ku qytetarët prej moshës 16 deri në moshën 60-vjeçare nuk lejohen të largohen nga vendi. Qindra mijëra njerëz tashmë i janë bashkuar ushtrisë ukrainase, ndërsa së bashku me tifozët kanë kërkuar të mësojnë përdorimin e armëve. Megjithatë, për dallim nga popullata civile, shumica e tifozëve të klubeve ukrainase kanë përvojë në luftime dhe përdorim të armëve.

Në vitin 2013, tifozët ukrainas morën pjesë në protestat kundër Qeverisë së atëhershme pro-ruse në Kiev gjatë lëvizjes “Euromaidan”. Dhe, që nga viti 2014, një pjesë e madhe e tyre kanë luftuar për regjimentin “Azov”, një nga batalionet vullnetare paraushtarake të Ukrainës. E krahas luftimit, tifozët po e përdorin ndikimin e tyre edhe për të rekrutuar luftëtarë me thirrjet që po i bëjnë nëpër rrjetet sociale. Mësohet se ata tashmë po japin disa rekomandime për të gjithë të interesuarit se si mund të kalojnë nga Evropa perëndimore përmes Polonisë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, dhe prej aty përmes Kievit në pjesët e tjera për të luftuar.