Lajmi është dhënë në kohën kur janë shtuar raportet se presidenti Vladimir Putin po planifikon një ofensivë të re ushtarake kundër Kievit, kryeqytetit ukrainas, pasi kishte dështuar në fillim të agresionit në shkurt që të arrinte në kryeqendrën ukrainase
(BBC/CNN) - Moska ka filluar një fushatë të re për të inkurajuar rusët që të regjistrohen në forcat e armatosura dhe të luftojnë në Ukrainë, pavarësisht se Kremlini ka mohuar se ka nevojë për më shumë rekrutë. Lajmi është dhënë në kohën kur janë shtuar raportet se presidenti Vladimir Putin po planifikon një ofensivë të re ushtarake kundër Kievit, kryeqytetit ukrainas, pasi kishte dështuar në fillim të agresionit në shkurt që të arrinte në kryeqendrën ukrainase.
Në një përpjekje për të tërhequr më shumë vullnetarë në front, videot propagandistike ruse të postuara në rrjetet sociale në ditët e fundit po përpiqen të tërheqin burrat rusë përmes narrativave të patriotizmit, moralit dhe lëvizshmërisë sociale lart.
Një nga videot, e postuar më 14 dhjetor, shfaq një të ri i cili po zgjedh të luftojë në vend që të festojë me miqtë e tij meshkuj dhe më pas i befason të gjithë duke i blerë vetes një makinë me paratë që fitoi nga luftimi me një kontratë ushtarake.
Propaganda
Në një video tjetër, të postuar më 15 dhjetor, ish-e dashura e një ushtari është e impresionuar me guximin e tij dhe i lutet që të rikthehet me të. Një shembull tjetër tregon një burrë të moshës së mesme duke lënë punën e fabrikës që nuk e paguan mjaftueshëm për të nënshkruar një kontratë ushtarake dhe për të shkuar në front.
Një tjetër nga videot tregon një grup burrash rusë 30-vjeçarësh dhe të pasur duke ngarkuar një makinë, ndërsa gratë e moshuara i pyesin se ku po shkojnë. Njëri nga burrat përgjigjet: “Në Gjeorgji. Përgjithmonë”. Kur një grua hedh një çantë me sende ushqimore, burrat thjesht hipin në makinë dhe largohen, në vend që të ndihmojnë, ndërsa burrat më të rinj rusë nxitojnë të marrin sendet ushqimore.
“Djemtë janë larguar, burrat kanë mbetur”, përfundon një nga të moshuarat.
Shumë nga videot e portretizojnë luftën si një arratisje për burrat nga një realitet i zymtë i përditshëm i pirjes së vodkës, varfërisë dhe pafuqisë. Ndërkohë, raportet dhe ankesat për mungesë të furnizimeve dhe pajisjeve në ushtrinë ruse vazhdojnë të shfaqen.
Gjatë një takimi me nënat e të mobilizuarve në nëntor, presidenti Putin tha se është më mirë të vritesh duke luftuar për atdheun sesa të pish për vdekje vodka.
Në fund të shtatorit, Putini njoftoi një mobilizim ushtarak "të pjesshëm", i cili mobilizoi më shumë se 300.000 njerëz në të gjithë Rusinë pasi lufta në Ukrainë nuk arriti të përparonte. Numri i saktë i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë nuk është bërë publik.
Mijëra burra janë larguar nga Rusia për të shmangur rekrutimin dhe frika për një mobilizim të dytë në Vitin e Ri po rritet.
Muzikë në frontin e luftës
Rusia thotë se do të dërgojë muzikantë në vijën e parë të luftës në Ukrainë në një përpjekje për të rritur moralin. Ministria e Mbrojtjes njoftoi formimin e "brigadës krijuese të vijës së parë" këtë javë, duke thënë se ajo do të përfshijë si vokalistë, ashtu edhe muzikantë.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar theksoi krijimin e brigadës në një përditësim të inteligjencës të dielën. Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu vizitoi trupat e vijës së parë në Ukrainë.
Në një deklaratë të postuar në Telegram, ministria tha se Shoigu "fluturoi rreth zonave të dislokimit të trupave dhe kontrolloi pozicionet e avancuara të njësive ruse në zonën e operacionit special ushtarak".
Ai shtoi se ai "foli me trupat në vijën e frontit" dhe në një "pikë komanduese" - por BBC nuk mund të konfirmojë se kur u zhvillua vizita ose nëse Shoigu vizitoi vetë Ukrainën.
Vizita e raportuar vjen pasi zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thanë se morali i ulët vazhdon të jetë një "cenueshmëri e rëndësishme në pjesën më të madhe të forcës ruse".
Mbretëria e Bashkuar njoftoi se brigada e re krijuese - e cila pason një fushatë të fundit, duke i kërkuar publikut të dhurojë instrumente muzikore për trupat - është në përputhje me përdorimin historik të "muzikës ushtarake dhe argëtimit të organizuar" për ta rritur moralin.
Por ata vunë në pikëpyetje nëse brigada e re në të vërtetë do të shpërqendronte trupat, të cilët kanë qenë të shqetësuar kryesisht për "normat shumë të larta të viktimave, udhëheqjen e dobët, problemet e pagave, mungesën e pajisjeve dhe municioneve dhe mungesën e qartësisë rreth objektivave të luftës".
Sipas gazetës ruse RBC, brigada do të përbëhet nga trupa të mobilizuara nën drejtimin e rekrutimit të Putinit, si dhe nga "artistë profesionistë që hynë vullnetarisht në shërbimin ushtarak".
Njësia e re do të ketë për detyrë të mbajë "një gjendje të lartë morale, politike dhe psikologjike ndërmjet pjesëmarrësve të operacionit të posaçëm ushtarak”, citoi gazeta të ketë thënë ministria e Mbrojtjes.
Vazhdojnë luftimet
Ndërkohë, luftimet intensive kanë vazhduar rreth qytetit Bakhmut në rajonin lindor të Donbasit të shtunën, tha shtabi i përgjithshëm i Ukrainës.
Zonat kanë raportuar përleshje të rënda midis trupave ukrainase dhe ruse për muaj të tërë, pasi Rusia kërkon të mbajë territorin pas një vargu humbjesh në Ukrainën lindore në fillim të këtij viti.
Zyrtarët e inteligjencës perëndimore kanë thënë më parë se sulmet ruse në qytet po drejtohen nga kontraktori ushtarak privat, Wagner Group.
Moska shpreson ta përdorë qytetin si një terren për të nisur sulmet në qytetet e kontrolluara nga ukrainasit, Kramatorsk dhe Sloviansk.
Diku tjetër, ngrohja është rikthyer në kryeqytetin ukrainas të Kievit, pasi Rusia nisi sulme të gjera të premten që synonin infrastrukturën e energjisë dhe ujit, tha kryetari Vitali Klitschko.
Moska lëshoi 76 raketa të premten, duke goditur nëntë stacione të furnizimit me energji elektrike.
