Teksa lufta po hyn në vitin e tretë, sfida më urgjente dhe politike që prek Ukrainën është mbledhja e mjaftueshme e ushtarëve të rinj për të luftuar kundër armikut me shumë më shumë luftëtarë në dispozicion. Mungesa në numrin e ushtarëve nuk është problemi i vetëm
(AP) – Kur ushtria ruse filloi pushtimin e plotë para dy vjetësh, burrat ukrainas nxituan në qendrat e rekrutimit për t’u listuar, të gatshëm të vdisnin për të mbrojtur atdheun.
Sot, me Rusinë nën kontroll të çerekut të tokës së Ukrainës dhe dy ushtritë e bllokuara përgjatë vijës së frontit, ky motiv është zbehur: Shumë ukrainas po i shmangen rekrutimit duke u fshehur në shtëpi ose duke u përpjekur të përdorin ryshfetin për t’iu mënjanuar luftës.
Përgjatë vijës së ftohtë dhe plot baltë të frontit, komandantët kanë thënë se ushtria e tyre është shumë e vogël, me plot ushtarë të lodhur dhe të plagosur. Teksa lufta po hyn në vitin e tretë, sfida më urgjente dhe politike që prek Ukrainën është mbledhja e mjaftueshme e ushtarëve të rinj për të luftuar kundër armikut me shumë më shumë luftëtarë në dispozicion.
Popullata e Rusisë është gati tri herë më e madhe sesa e Ukrainës dhe presidenti Vladimir Putin është treguar i gatshëm të dërgojë me forcë burra në vijën e frontit nëse nuk ka mjaftueshëm vullnetarë.
Mungesa në numrin e ushtarëve nuk është problemi i vetëm – është gjithashtu thirrje e dëshpëruar për ndihmë ushtarake nga Perëndimi, që siç duket është vështirë se do të arrijë. Por mobilizimi i mjaftueshëm i ushtarëve është problem të cilin vetëm Ukraina mund ta zgjidhë.
Për t’i mbushur radhët e veta, Qeveria ukrainase po përpiqet të gjejë ekuilibrin mes detyrimit dhe bindjes.
Parlamenti është duke shqyrtuar legjislacionin, i cili do të mund të rriste potencialin e rekrutëve për të paktën 400 mijë, duke ulur moshën për t’u listuar nga 27 në 25-vjeçare. Por ky propozim nuk është shumë i pëlqyer. Shumë zyrtarë kanë shtruar pyetjen se a mund të bindin qytetarët të sakrifikojnë jetën e tyre. Dhe, nëse jo, a janë të gatshëm ta pranojnë alternativën?
Një ushtar ukrainas që po luftonte afër qytetit të Avdiivkës – nga ku ushtarët u tërhoqën javën e kaluar për të shpëtuar jetën – ka thënë se njësia e tij u tejkalua në numër në raport 5 me 1, kur një grumbull ushtarësh rusë i sulmuan në pozicion, duke i vrarë të gjithë - pos tij dhe dy të tjerëve.
“Ne ishim mundur pothuajse plotësisht”, ka thënë Dima, i cili refuzoi të jepte mbiemrin për shkaqe sigurie.
Gati 800 kilometra më larg, një burrë 42-vjeçar fshihet i shqetësuar në shtëpinë e tij në periferi të Kievit. “Ndjej një formë fajësie që jam burrë... Nuk mund të çlirohem nga kjo ndjenjë”, ka thënë Andrii, i cili insistoi të përdorte vetëm emrin, për t’iu shmangur rekrutimit.
Qindra burra të tjerë ukrainas vlerësohet se janë duke iu shmangur rekrutimit, duke qëndruar në shtëpi ose duke ikur jashtë vendit.
Problemet që sjell mungesa e rekrutëve
Meqë nuk ka mjaftueshëm rekrutë të rinj, ushtarët në vijën e frontit nuk po pushojnë mjaftueshëm mes ndërrimeve. Dy vjet luftë rraskapitëse kanë lënë burrat të lodhur dhe më të ndjeshëm ndaj plagëve. Kur vijnë rekrutët e rinj, ata janë të paktë në numër, pak të trajnuar dhe shpesh të vjetër në moshë, sipas intervistave me ushtarë ukrainas, përfshirë gjashtë komandantë.
Komandantët kanë thënë se nuk kanë mjaftueshëm ushtarë për të sulmuar dhe mezi kanë mjaftueshëm për të mbajtur pozicionet mes sulmeve të shpeshta ruse.
Brigadat e përbëra nga tremijë deri pesëmijë ushtarë janë zakonisht duke luftuar vetëm me 75 për qind të kapaciteteve të tyre, sipas Vadym Ivchenko, ligjvënës i cili është pjesë e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Mbrojtjes dhe Inteligjencës. Disa brigada po luftojnë vetëm me 25 për qind të kapacitetit, ka shtuar ai.
Dima, ushtari që është duke luftuar afër Avdiivkës, ishte një nga shumë burra që po trajtoheshin në një spital afër vijës së frontit. Mjekët e këtij spitali kanë thënë se puna e tyre është bërë si një qark: Ushtarët shkonin për të luftuar pas trajtimit dhe shpesh ktheheshin disa javë më vonë me plagë të reja.
Igor Ivantsev, 31-vjeçar, është lënduar dy herë brenda katër muajve. Trupi i dhemb sa herë mban armën, por mjekët e konsiderojnë si të gatshëm për të luftuar. Ivantsevi ka thënë se nga 17 burrat me të cilët u listua, shumica prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët janë të lënduar njësoj si ai.
Komandanti i Ivantsevit, që dha vetëm emrin e tij, Dmytro, ka thënë se ekipi i tij i lodhur dhe i paktë në numër është duke punuar shumë për të gërmuar llogore të thella dhe për të krijuar lokacione më të mira prej nga mund të përballen me artilerinë ruse. “Nuk kemi njerëz. S’kemi ku t’i marrim”, ka thënë Dymtro.
Në fillim të luftës, ushtarët janë ndërruar çdo dy javë për të pushuar nga një javë, ka thënë ai. Por tani ushtarët luftojnë për një muaj dhe pastaj pushojnë për katër ditë.
“Nuk jemi të bërë nga hekuri”, ka thënë Ivantsevi.
Mesatarja e moshës së ushtarëve ukrainas është 40-vjeçare, sipas zyrtarëve të Perëndimit. Komandantët kanë thënë se sa më të moshuar të jenë ushtarët, aq më shumë vuajnë nga sëmundjet kronike.
Ekipi i sulmit të Dimës kohëve të fundit ka marrë rekrutë të rinj të moshave 55 deri 58 vjeç.
“Nga cilat pozicione do të sulmojnë ata?” ka pyetur me sarkazëm. “Nëse njëri nga ta ecën për 4 kilometra me çantë të mbushur me armë dhe pajisje, do të rrëzohet në mes të rrugës”.
Alyona Yalunka, mjeke, kujdeset për një ushtar 42-vjeçar që njihet me nofkën Kolmyk. Ajo e ushqen me çokollatë.
“Unë do t’ua puth këmbët e tyre deri në momentin e fundit, për sa kohë që ata thjesht arrijnë të qëndrojnë, të marrin armët dhe të mbrojnë vajzat e mia”, ka thënë Yalunka.
Kolmyku e shikon me sy të përlotur, teksa qetësuesit kundër dhimbjeve po fillonin efektin. “Tani mund të pushoj”, ka thënë ai.

Plani për të rekrutuar më shumë
Në Kiev, Parlamenti po merret me legjislacionin që do t’i lejonte ushtrisë të rekrutonte më shumë burra në mënyrë që ata që janë duke luftuar të pushojnë ose të lirohen nga detyra.
Rreth 300 mijë ushtarë ukrainas janë duke luftuar për momentin në vijën e frontit, ndërsa të tjerët janë duke kryer detyrën diku tjerët, kanë thënë ligjvënësit. Putini ka thënë se kanë dyfishin e trupave në Ukrainë.
Ushtria ukrainase po përpiqet të mobilizojë mbi 500 mijë burra, por duke e parë se sa e papëlqyer është kjo lëvizje, ligjvënësit janë duke u menduar me kujdes. Mbi njëmijë amendamente janë pjesë e legjislacionit për rekrutim, që presidenti Volodymyr Zelenskyy akoma nuk i ka mbështetur publikisht.
Në draftligjin për rekrutim çdo individi, që dështon t’u përgjigjet thirrjeve, mund t’i bllokohet xhirollogaria dhe mund t’i kufizohet mundësia për të dalë jashtë vendit - dispozitë kjo të cilën avokati i të drejtave të njeriut në Ukrainë e ka quajtur jokushtetuese.
Ligjvënësit kritikë të legjislacionit, duke përfshirë edhe Ivchenkon, kanë thënë se ushtria nuk ka shpjeguar në mënyrë adekuate se si do të ndryshojë kahen e luftës rritja e rekrutimit. Dy vendet kanë qenë gati të bllokuara për muaj të tërë, pas sulmit të dështuar nga ukrainasit gjatë verës. Por kohëve të fundit, Rusia ka marrë iniciativën.
“A do të jetë ky ligj i mjaftueshëm që forcat e armatosura të ndryshojnë situatën në fushëbetejë?” ka pyetur Ivchenko.
Ndërsa legjislacioni parasheh rekrutimin e të paktën 400 mijë burrave, numrat mund të jenë të përgjysmuar duke llogaritur ata që shmangin rekrutimin dhe ata me pretendime legjitime për t’iu larguar rekrutimit, ka thënë Oksana Zabolotna, analiste e “Center for United Actions”, organizatë joqeveritare në Kiev.
Shmangësit e rekrutimit
Shmangësit e legjislacionit janë burrat si një 35-vjeçar, krijues i uebfaqeve, i cili ka insistuar të mbetet anonim për diskutimin rreth vendimit për t’u fshehur në shtëpi.
Ai refuzon të luftojë, sepse nuk dëshiron të vrasë njerëz. Plani i tij është të mbledhë para për t’u arratisur nga Ukraina, e cila për momentin nuk i lejon burrat nën 60 vjeç të udhëtojnë.
Legjislacioni që po shqyrtohet në parlament, në teori, do të linte pak vend për burrat si ai të fshihen duke kërkuar që të gjithë qytetarët e kualifikuar për rekrutim të lajmërohen te qeveria përmes një sistemi elektronik. Ky sistem i përcjelljes do të ndihmonte gjithashtu të balanconte pabarazinë e patrullave të rekrutimit, që shënjestrojnë zonat e varfra rurale për të shtyrë shmangësit e rekrutimit për t’u regjistruar.
“Të gjithë e kuptojnë se kjo nuk është e barabartë”, ka thënë Ivchenko.
Ndërsa disa paguajnë ryshfet për t’iu larguar rekrutimit, të tjerët paguajnë për t’u vendosur në zona të sigurta larg luftimeve, ka thënë Ivchenko. Pas një hetimi rreth korrupsionit, vitin e kaluar Zelenskyy shkarkoi të gjithë drejtuesit rajonalë të rekrutimit.
Krijuesi i uebfaqeve që po fshihet në periferi të Kievit ka thënë që ndien se Qeveria po afrohet dhe sikur autoritetet po e kërkojnë.
“Ndjesia është sikur të gjithë duan të të fusin në grirëse të mishit”, ka thënë ai.
Rekrutët e rinj
Në qendrën e rekrutimit në Kiev, burrat po ekzaminohen nga doktorët për të parë se a janë në gjendje të shërbejnë.
Rustem Mineev, punonjës hekurudhe 36-vjeçar, ka menduar se nuk do të thirrej për detyrë për shkak se detyra e tij është e nevojshme për luftën. Ai u shokua kur vendi i punës e urdhëroi të shkonte të kontrollohej. “Normalisht, jam shumë i frikësuar”, ka thënë ai teksa priste për incizime.
Olga Yevchenko, doktoreshë e cila është në krye të ekzaminimeve mjekësore për rekrutët e rinj, ka thënë se disa përpiqen të paguajnë ryshfet për t’i lënë të lirë.
“Është e vështirë të marrësh një vendim”, ka thënë ajo. “Nëse një burrë i ri vjen dhe është i shëndetshëm, gjithmonë e di se çfarë do të ndodhë”.