Botë

Një vit luftë, rezistenca ukrainase në fazën vendimtare

Një vit pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nisi atë që e quan operacion special ushtarak, Rusia dhe Ukraina po bëhen gati për ofensivën e re që mund ta përkeqësojë edhe më shumë luftën.

Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar përpjekjet për ta pushtuar plotësisht zemrën e rajonit industrial të Donbasit. Kievi dhe aleatët perëndimorë kanë paralajmëruar se Moska po planifikon që të nisë sulmin më të zgjeruar në frontin e luftës prej më shumë se 1 mijë kilometrash.

Kremlini ka insistuar se çdo marrëveshje politike duhet të përfshijë njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë, të cilën Putini e aneksoi gjatë vitit 2014.

Ukraina ka mohuar këto kërkesa dhe ka përjashtuar mundësitë për bisedime me Rusinë derisa nuk tërheq ushtrinë nga territori ukrainas. Forcat e armatosura të Ukrainës tani po presin tanket dhe armatimet e tjera të sofistikuara që janë premtuar nga Perëndimi.

Mirëpo shumë ekspertë besojnë se konflikti më i madh i Evropës mund të zgjasë për disa vjet. Të tjerët janë të mendimit se mund të nxisë konfrontimin direkt mes Rusisë dhe NATO-s.

“Putini e ka bërë të qartë se është i përgatitur për të sakrifikuar çdo gjë. Kjo është pjesë e problemit. Dhe ka shumë deklarata dhe thashetheme se është i gatshëm të sakrifikojë 300 mijë njerëz që i ka mobilizuar. Ka fjalë se po vazhdon rekrutimi. E ka bërë të qartë se nuk mërzitet për fatin e rusëve që shërbejnë për shtetin”, ka thënë Fiona Hill, njohëse e çështjeve ruse.

Rusia dhe Ukraina shpresojnë që në pranverë të vendoset gjithçka për fatin e luftës.

“Ajo që po shohim tani është se rusët po punojnë për më gjatë. Nuk e kanë ndërmend të humbasin, sido që e kuptojnë ata fjalën fitore në këtë fazë. Ndërkaq Ukraina nuk mund të përballojë që Rusia në thelb të aneksojë edhe më shumë territor”, është shprehur më tej Hill.

Putini në muajt e fundit ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta mbrojtur territorin e saj, referencë e qartë e arsenalit bërthamor.

Njohësit e çështjeve ruse dhe marrëdhënieve me Perëndimin nuk presin që Rusia t’i përdorë armët bërthamore për shkak se mund t’i kthehet bumerang.

Qëndrimet e Rusisë për armët bërthamore janë pritur ftohtë nga Kina dhe India, të cilat janë të shqetësuara me retorikën e Putinit.

Presidenti rus kërcënimet me armë bërthamore i sheh si mjet të fuqishëm politik dhe do t’i përdorë vazhdimisht me shpresën se do ta detyrojë Perëndimin ta tërheqë përkrahjen për Ukrainën.