Më 24 shkurt bëhen një vit qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës nën pretendimet për denazifikimin e shtetit dhe rrëzimin e regjimit ukrainas. Mirëpo pas një viti situata është krejt tjetër: Ukraina ka rezistuar dhe është ndihmuar fuqishëm nga Perëndimi, sidomos nga SHBA-ja që i ka ndihmuar më së shumti me armatim
(AP) - Një vit pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nisi atë që e quan operacion special ushtarak, Rusia dhe Ukraina po bëhen gati për ofensivën e re që mund ta përkeqësojë edhe më shumë luftën.
Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar përpjekjet për ta pushtuar plotësisht zemrën e rajonit industrial të Donbasit. Kievi dhe aleatët perëndimorë kanë paralajmëruar se Moska po planifikon që të nisë sulmin më të zgjeruar në frontin e luftës prej më shumë se 1 mijë kilometrash.
Kremlini ka insistuar se çdo marrëveshje politike duhet të përfshijë njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë, të cilën Putini e aneksoi gjatë vitit 2014.
Ukraina ka mohuar këto kërkesa dhe ka përjashtuar mundësitë për bisedime me Rusinë derisa nuk tërheq ushtrinë nga territori ukrainas. Forcat e armatosura të Ukrainës tani po presin tanket dhe armatimet e tjera të sofistikuara që janë premtuar nga Perëndimi.
Mirëpo shumë ekspertë besojnë se konflikti më i madh i Evropës mund të zgjasë për disa vjet. Të tjerët janë të mendimit se mund të nxisë konfrontimin direkt mes Rusisë dhe NATO-s.
“Putini e ka bërë të qartë se është i përgatitur për të sakrifikuar çdo gjë. Kjo është pjesë e problemit. Dhe ka shumë deklarata dhe thashetheme se është i gatshëm të sakrifikojë 300 mijë njerëz që i ka mobilizuar”, ka deklaruar Fiona Hill – njohëse e çështjeve ruse. “Ka fjalë se po vazhdon rekrutimi. E ka bërë të qartë se nuk mërzitet për fatin e rusëve që shërbejnë për shtetin”.
Rusia dhe Ukraina shpresojnë që në pranverë të vendoset gjithçka për fatin e luftës.
“Ajo që po shohim tani është se rusët po punojnë për më gjatë. Nuk e kanë ndërmend të humbasin, sido që e kuptojnë ata fjalën fitore në këtë fazë. Ndërkaq Ukraina nuk mund të përballojë që Rusia në thelb të aneksojë edhe më shumë territor”, ka shtuar Hill.
Putini në muajt e fundit ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta mbrojtur territorin e saj, referencë e qartë e arsenalit bërthamor.
Njohësit e çështjeve ruse dhe marrëdhënieve me Perëndimin nuk presin që Rusia t’i përdorë armët bërthamore për shkak se mund t’i kthehet bumerang.
Qëndrimet e Rusisë për armët bërthamore janë pritur ftohtë nga Kina dhe India, të cilat janë të shqetësuara me retorikën e Putinit.
Presidenti rus kërcënimet me armë bërthamore i sheh si mjet të fuqishëm politik dhe do t’i përdorë vazhdimisht me shpresën se do ta detyrojë Perëndimin ta tërheqë përkrahjen për Ukrainën.
