Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi ka thënë se futbollistët e tij merituan fitoren kundër Drenicës. Thaqit i vjen keq që Malisheva humbi dy pikë në ndeshjen më interesante të xhiros së 34-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja u zhvillua të dielën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Malisheva një pjesë të lojës të dielën luajti me një lojtar më pak në fushë.
Ishte Hasan Hyseni që u ndëshkua me karton të kuq. Malisheva dhe Drenica kanë pikë të barabarta – 44.
Të dyja skuadrat janë në garë për t’iu shmangur pozitës së tetë. Vendi i tetë do të luaj në barazh. Aktualisht është Drenica në vendin e tetë.
“Mendoj se pjesa e dytë na takoi neve për nga rastet e krijuara dhe njërën prej tyre është dashur ta realizojmë, por kartoni i kuq i marrë nga Hasan Hyseni na penalizoi dhe na ndryshoi planet. Mendoj se futbollistët e Malishevës treguan se merituan fitore. Janë edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund. Janë dy pikë të lëshuara si vendas, por ne do të luftojmë deri në fund të kampionatit”, ka thënë Thaqi pas ndeshjes.