Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi është ndarë i kënaqur me fitoren e arritur ndaj Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Malisheva fitoi 3:2 në udhëtim të dielën, por trajneri Thaqi ka kritikuar ndarjen e drejtësisë.
“I përgëzoj lojtarët për angazhimin, pasi luajtëm në një fushë të rënduar. Jo vetëm Malisheva, por edhe Drenica është angazhuar shumë. Pikët kanë qenë të rëndësishme dhe i arritëm t’i fitojmë. Shpresojmë të kemi rezultate pozitive edhe në ndeshjet e radhës. Motivi i lojtarëve është shumë i madh. Por dua të theksoj se shumë herë gjyqtarët anojnë kah vendësi. Agon Xhaka u ndëshkua me karton të kuq dhe mendoj se ky vendim i gjyqtarit duhet të rishqyrtohet. Tani kemi VAR-in, por edhe me VAR disa ndeshje nuk janë menaxhuar mirë. Shpresojmë që të adaptohen dhe ta marrin veten. Korrektësia në këto rrethana është virtyt dhe Drenica ka qenë gjithnjë mikpritëse. Por edhe gjyqtarët duhet të jenë korrekt”, ka thënë Thaqi pas ndeshjes ndaj Drenicës.
Malisheva zë vendin e gjashtë me 32 pikë, sa ka edhe Drenica një pozitë më poshtë. 32 pikë ka edhe Prishtina në vendin e pestë.