Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Thaqi fajëson fushën për mungesë të fitoreve

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, ka thënë se fusha jo e mirë dhe e përshtatshme për lojë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ka ndikuar që Malisheva të mos marrë fitore në disa ndeshje.

Malisheva dhe Dukagjini të shtunën morën nga një pikë, pas barazimit 1:1 në kuadër të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës në futboll.

“Kur nuk realizon gola për të pasur siguri gjatë lojës, vjen edhe barazimi. Në pjesën e parë realizuam dhe krijuam shumë raste. Një faktor që është duke ndikuar shumë në lojën tonë është fusha. Fusha nuk jep bilanc për fazën e sulmit, nuk mund ta kontrollojnë topin siç duhet. Megjithatë, edhe barazimi është pjesë e lojës. Në raste të tilla duhet të kemi më shumë qetësi për ta ruajtur rezultatin deri në fundin e ndeshjes”, është shprehur Thaqi pas ndeshjes.