Arsim Thaqi ndihet i privilegjuar që Drita e zgjodhi për ta drejtuar ekipin pas largimit të Ardian Nuhiut. Trajneri Thaqi thotë se do ta arsyetonte punën para drejtuesve dhe tifozëve të skuadrës vetëm nëse arrin të shpallet kampion i Kosovës në futboll. Ai insiston se Drita ka lojtarë për ta fituar titullin e kampionit dhe se ekipit nga qyteti i Gjilanit nuk i mungon asgjë.
“Dritën e kemi njohur të gjithë në këto vitet e fundit. Ka qenë model për të gjitha ekipet kosovare. Jam i privilegjuar që Drita më ka zgjedhur në mesin e shumë trajnerëve që kanë dashur të punojnë te Drita. Në raport me mua, Drita është klubi i parë që ka treguar profesionalizëm. Që nga momenti i parë kur jemi takuar e deri te nënshkrimi i kontratës. E vlerësoj shumë dhe unë duhet ta arsyetoj vetveten duke e dhënë maksimumin që Drita të jetë kampione e Kosovës. Me këtë organizim dhe ekip që ka Drita, nuk mund të fshehë edhe ambiciet. Gjërat duhet marrë me qetësi, por ambicia është titulli i kampionit. Çdo rezultat tjetër nuk më përmbush mua. Nuk më mungon asgjë, qoftë nga ana profesionale, ashtu edhe organizative dhe niveli i lojtarëve”, ka thënë Thaqi për KOHËN të mërkurën.
Drita stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e parë me pikë të njëjta me kampionin, Ballkanin. Pra kanë nga 38 pikë. Por, Thaqi beson se në fund Drita do të dalë kampione.
“Besueshmëria është e madhe, kjo për faktin se njoh lojtarët dhe nivelin e organizimit. Nuk do të ishte korrekte nëse do të thosha se nuk kam besim për ta synuar titullin me këtë nivel të lojtarëve. Tash na mbetet bashkërisht që ta kompletojmë edhe stafin e që besoj se do të jemi një ekip që do të synojmë titullin këtë edicion. Mua do të më mbetet ta vazhdoj mënyrën e punës dhe të ndërroj aty ku nuk ka shkuar në pjesën vjeshtore”, është shprehur Thaqi.
Thaqi në krye të Dritës është emëruar pas largimit të Ardian Nuhiut. Ai punën do ta nisë të enjten, ndërsa më 24 janar, Drita do të udhëtojë për pjesën tjetër të përgatitjeve në Antalia. Në Turqi, Drita do t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore. Thaqi ka thënë se ekipi është i kompletuar.
“Ekipi është i kompletuar, mendoj se ata lojtarë që i ka Drita për mua janë të pranueshëm. Mund të ketë ndonjë lëvizje, por struktura aty është”, është shprehur Thaqi, që me Dritën ka nënshkruar kontratë për një vit e gjysmë.
Por, Thaqi thotë se synimi është të mbetet gjatë.
“Rezultatet janë ato që mbajnë trajnerin gjatë apo shkurt. Ne të enjten do të nisim grumbullimin dhe misionin për ta fituar titullin e kampionit. Prezantimi te Drita do të jetë i lehtë, pasi njoh shumicën e lojtarëve e po ashtu edhe ata më njohin mua”, ka thënë Thaqi.
Thaqi ka punuar më herët edhe te 2 Korriku, KEK-u, Trepça ’89, Prishtina, Flamurtari dhe së fundmi te Malisheva. Te Drita kanë thënë se i ka bindur përvoja e Thaqit në klubet e tjera të Kosovës për ta angazhuar për trajner.
“Qëllimi është i qartë, titulli i kampionit. Ajo që neve na ka bërë të vendosim për Arsim Thaqin është përvoja në ligën tonë. Lista ka qenë e gjatë, por në rrethin e ngushtë, Arsim Thaqi fitoi garën. Edhe trajnerët tjerë të kontaktuar janë të respektuar, por duke pasur parasysh shumë faktorë, kemi vendosur për Thaqin. Besojmë fuqishëm se me ardhjen e tij, do ta fitojmë edhe titullin”, ka thënë drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.