Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Thaqi i kënaqur me fitore, tregon se Ibrahimi është mirë

Arsim Thaqi në krye të Malishevës arriti të marrë fitore të madhe ndaj Ballkanit të mërkurën gjatë ditës.

Thaqi pas ndeshjes u shpreh shumë i lumtur për pikët e plota dhe e vlerësoi si sukses të dyfishtë.

“Të fitohet loja kundër një skuadre siç është Ballkani që në stinorin pranveror i ka fituar gjitha ndeshjet, është sukses i dyfishtë. I përgëzoj lojtarët për angazhimin. Këto pikë janë edhe siguri shtesë për ndeshjet e ardhshme. Fitorja ndaj Ballkanit tregon edhe forcën e ekipit. Shpresoj që edhe në ndeshjet e ardhshme, lojtarët të kenë angazhimin e njëjtë. Duhet të vazhdojmë dhe ta ndjekim objektivin që është mbetja në elitën e futbollit të Kosovës”, tha fillimisht Thaqi.

Qendërmbrojtësi Labinot Ibrahimi në fundin e ndeshjes pati një lëndim të rëndë dhe është larguar jashtë fushës me autoambulancë.

Megjithatë, trajneri i Malishevës theksoi se Ibrahimi është mirë.

“Tronditja ishte e rëndë. Çuditem se si gjyqtarët nuk i vlerësojnë këto situata. Më e rëndësishme është jeta e futbollistit se loja. Ibrahimi është në gjendje të mirë. Këto janë gjëra që ndodhin në futboll, por gjyqtarët dhe ne duhet të kemi kujdes. Të mos vazhdohet loja sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shpresojmë që të mos ndodhë asnjë rast i tillë në fushë të futbollit. Shpresojmë që Ibrahimi të kthehet edhe më i fortë”, u shpreh Thaqi.