Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme fitoren ndaj kampionit, Ballkanit.
Malisheva fitoi 3:2 ndaj Ballkanit, të enjten në Suharekë.
“Këto ndeshjet e fundit janë finale në vete. Kjo ndeshje na mban në hap për mbetje në elitë. I përgëzoj lojtarët për angazhimin dhe disiplinën taktike. Ballkani ka cilësitë e veta dhe rezultat i kësaj u shpall kampion”, ka thënë Thaqi. “Ndoshta gëzimi i madh nuk u dha lojtarëve të Ballkanit mundësi që të ndjekin fitoren. Neve na dalloi fakti që shënuam golat shumë herët dhe kjo na dha mundësi që të mbrohemi dhe të mbajmë rezultatin deri në fund. Për ne është me rëndësi mos të gabojmë në ndeshjet që kanë mbetur”, ka shtuar Thaqi.