Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Thaqi e quan tjetër sukses historik mbijetesën

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, e ka vlerësuar si tjetër sukses historik mbetjen e skuadrës që ai drejton në elitën e futbollit kosovar edhe për një edicion tjetër.

Suksesi i parë historik për trajnerin Thaqi ishte ngjitja në Superligën e Kosovës.

Ai pas ndeshjes së fituar të barazhit ndaj Vushtrrisë 3:1 të shtunën, theksoi se skuadra e tij po t’i kishte disa lojtarë me përvojë të cilët i mori më vonë, do të luftonte edhe për Evropë.

“Normalisht që jam i kënaqur duke e ditur se ndeshjet e barazhit nuk janë të lehta për t’i udhëhequr. Dominuam në fushë dhe e kishim qetësinë. E pamë edhe dallimin e madh të Superligës me Ligën e Parë. Shënuam kur është dashur dhe gjithçka shkoi mirë. Një klub që është themeluar para gjashtë vitesh ta arrijë këtë sukses, është historike sërish. I uroj të gjithë që kanë dhënë kontribut për këtë klub. Uroj që ky klub të ketë nivel edhe më të lartë se që ka pasur deri tash”, tha fillimisht Thaqi.

Thaqi theksoi se i gjithë sezoni i Malishevës është mbështetur në lojtarët me përvojë. Shtoi se ata kanë dhënë gjithmonë 100% nga vetja.

“Në momentin kur na janë dashur në fushë, ata kanë dhënë maksimumin. I falënderoj të gjithë. Labinot Ibrahimi, Fidan Gërbeshi, Xhevdet Shabani e Behar Maliqi e kanë mbajtur frymën e ekipit. Sikur ta kishim pasur këtë skuadër edhe në sezonin e parë, do të ishim skuadër pretendente për Evropë. Mendoj që nuk e kemi merituar të vijmë këtu, por futbolli i ka edhe këto. E keqja e futbollit është prishja e imazhit. Çdokush duhet të jetë i kënaqur me atë që i takon. Ai që është meritor duhet të shkojë lartë. Urime e suksese dhe shpresoj që te ky klub të investohet edhe më shumë në të ardhmen, sidomos në infrastrukturë”, është shprehur Thaqi pas ndeshjes.

Artikuj të ngjashëm