Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ten Hag me fjalë të mëdha për “magjistarin” Eriksen dhe “luftëtarin” Martinez

Një “magjistar” si Christian Eriksen dhe një “luftëtar” si Lisandro Martinez do t’i sjellin dhunti krijuese dhe shpirt luftarak ekipit të Manchester Unitedit në sezonin e ri, tha të martën trajneri Erik ten Hag, ndërsa skuadra e tij e re ka filluar të marrë formë. Dyshja i bashkohet mbrojtësit të majtë të Feyenoordit, Tyrell Malacia, si tre nënshkrimet kryesore të trajnerit holandez deri më tani, ndërsa ai kërkon të injektojë jetë të re në ekipin nga “Old Traffordi” pas paraqitjeve zhgënjyese në sezonin e fundit. Unitedi, i cili për herë të fundit fitoi trofe të rëndësishëm në vitin 2017, përfundoi në vendin e gjashtë në Premier League me totalin e pikëve më të ulëta që nga fillimi i ligës në vitin 1992.

Mesfushori danez Eriksen u transferua si lojtar i lirë të premten e shkuar pasi u largua nga Brentfordi, me mbrojtësin argjentinas Martinez, që iu bashkua klubit nga Ajaxi dy ditë më vonë. Ten Hag tha se përvoja e Eriksenit, 30 vjeç, është jetike dhe krijimtaria e tij do të jetë një ndihmë për vijën e sulmit, potencialisht të kryesuar nga Cristiano Ronaldo, megjithëse e ardhmja e superyllit portugez te Unitedi mbetet e paqartë.

"Unë mendoj se Eriksen është një futbollist i mrekullueshëm dhe mendoj se tifozët do të kënaqen duke e parë atë në fushë, sepse ai është krijues, lojtar që ka ide”, tha Ten Hag për faqen zyrtare të klubit nga Melbourni i Australisë, ku Unitedi është zhvendosur për fazën përgatitore. “Unë mendoj se veçanërisht sulmuesit tanë do të jenë gjithashtu të lumtur që do ta kenë prapa Eriksenin, sepse është ai që mund t'i përfshijë ata në lojë. Ai është një lojtar me përvojë. Ai ka luajtur në Itali e Holandë, ndërsa futbollin anglez e njeh shumë mirë për shkak të kohës së gjatë që e ka kaluar në Premier League. Kështu që, Eriksen është një avantazh absolut për ekipin tonë në sezonin e ri”.

Kalimi i ish-yllit të Tottenhamit, Eriksen, te Manchester Unitedi përfundon një rikthim të jashtëzakonshëm pas kolapsit të danezit vitin e shkuar në Kampionatin Evropian. Erikseni pësoi një arrest kardiak në fushën e stadiumit të Kopenhagës teksa luante për Danimarkën në “Euro 2020” dhe u detyrua të largohej nga Interi, pasi u rikuperua për shkak të rregulloreve shëndetësore të Serisë A. I pajisur me një defibrilator, ai dëshmoi formën dhe aftësinë e tij gjatë ndeshjeve që i luajti të Brentfordi në pjesën e dytë të sezonit të fundit. Në 11 paraqitje në kampionatin anglez, Eriksen pati një gol dhe katër asistime, duke e ndihmuar Brentfordin ta sigurojë mbetjen në Premier League edhe për edicionin 2022/23.

Ndërkohë, Martinez 24-vjeçar iu bashkua Unitedit nga klubi i vjetër i Ten Hagut, Ajaxi, duke iu nënshtruar kushteve mjekësore, kushteve të lojtarëve dhe kërkesave për vizë në Mbretërinë e Bashkuar, me trajnerin që tha se nuk mund të ishte më i lumtur. Ajaxi konfirmoi se Unitedi do të paguajë 57 milionë euro fillimisht, plus 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh të lidhura me performancën.

Edhe Shpenzimet e mëdha bëjnë që Ten Hag të jetë në presion për ta sfiduar Cityn Sport Shpenzimet e mëdha bëjnë që Ten Hag të jetë në presion për ta sfiduar Cityn

“Martinez është një luftëtar dhe mendoj se fansat do ta admirojnë. Ai ka një qëndrim, shpirt luftarak”, tha ai. “Ai sjell agresivitet në lojë, në një mënyrë të mirë. Mendoj se ne kemi nevojë për këtë”.

Ten Hag tha se ishte i bindur që Martinez kishte karakterin e duhur për t'u përshtatur me futbollin e Premier Leagues dhe ishte i njohur me metodat e tij, duke pasur parasysh kohën e tyre së bashku të kaluar te Ajaxi.

“Unë mendoj se Premier League është me intensitet të lartë, shumë sfida. Ne kemi nevojë për lojtarë të tillë, me shpirt luftarak. Ai e njeh punën time dhe idetë e mia. Ky është një avantazh edhe për të”.

Ndërsa, mbrojtësi Malacia është pjesë e ekipit në turneun parasezonal në Tajlandë dhe Australi, që ka parë që Unitedi ta mposhtë Liverpoolin 4:0 në Bangkok dhe Melbourne Victoryn 4:1, Ten Hag konfirmoi se as Martinez dhe as Eriksen nuk do t'i bashkoheshin skuadrës për dy ndeshjet e tyre të fundit në Australi kundër Crystal Palacet dhe Aston Villas.

Edhe Unitedi synon më shumë trofe pas triumfit në Kupën e Ligës Sport Unitedi synon më shumë trofe pas triumfit në Kupën e Ligës

“Fatkeqësisht ne nuk mund t'i kemi ata këtu në turne, sepse në momentin që ata të mbërrijnë këtu, ne do të fluturojmë përsëri”, tha Ten Hag. “Ne mezi presim t'i përfshijmë ata në skuadrën tonë dhe tifozët gjithashtu nuk mund të presin”.

Holandezi ka folur edhe për situatën e Ronaldos, duke insistuar se portugezi nuk është në shitje dhe se ai llogarit në shërbimet e tij për edicionin e ri. Ronaldo ka kontratë me Unitedin deri vitin e ardhshëm.