Me sigurimin e trofeut të parë pas shumë kohësh, tani mendimet kthehen në atë se çka mund të arrijë Manchester Unitedi i transformuar nga trajneri Erik ten Hag, në edicionin e parë të teknikut holandez.
Edhe pse duket mision i pamundur, mundësia që Unitedi ta mbyllë edicionin me katër trofe është ende e pranishme, pasi skuadra të dielën mposhti Newcastlen, 2:0, në finalen e Kupës së Ligës. Për Unitedin ky është trofeu i parë prej vitit 2017, por që ka rritur dukshëm entuziazmin brenda ekipit për suksese tjera.
“Ne jemi ende në tri gara dhe kemi shansin për të fituar më shumë trofe”, tha portieri David de Gea. “Ndiej se mentaliteti i ekipit është fitues”.
Për një skuadër që ishte mësuar shumë me dështime vitet e fundit, Unitedi shpejt po e shijon suksesin pas kthesës mbresëlënëse nga trajneri Ten Hag.
“Jam i kënaqur, por dua më shumë”, shtoi kapiteni Bruno Fernandes.
Ten Hagut iu deshën vetëm 10 muaj për ta fituar trofeun e parë si trajner i Unitedit dhe për t'i dhënë fund një pritjeje prej gjashtë vjetësh për ekipin e madh të Anglisë. Është trofeu i parë i Unitedit që nga triumfi në Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës nën drejtimin e Jose Mourinhos më 2017.
Kupa e Ligës është një trofe modest për një klub që i fitoi të gjitha nën drejtimin e ish-trajnerit ikonik Alex Ferguson. Por, ky ishte një triumf që u mirëprit nga mijëra tifozë të Unitedit. Trajneri Ten Hag është optimist se për tifozët e klubit do të ketë ende festime përgjatë këtij edicioni.
“Është një trofe i fituar në muajin shkurt dhe dëshmi se jemi në rrugën e duhur. Besoj se ky do të jetë inspirim për të gjithë. Nëse punojmë dhe vazhdojmë të luajmë mirë, atëherë është e mundur të vijnë edhe trofetë e tjerë”, ka thënë Ten Hag. “Ende jemi në riformim të një ekipi si Manchester Unitedi, i cili ka qenë i mësuar për të fituar trofe. Sinjalet janë aty, tani ne mbetet të punojmë”.
Ten Hag trofeun e parë e festoi duke kërcyer në fushë me lojtarët Lisandro Martinez dhe Antony, të cilët e ndoqën atë nga Ajaxi në Manchester verën e kaluar. Pak prisnin që Unitedi të ishte në një pozicion kaq të mirë në këtë fazë të kampionatit – veçanërisht pas humbjes së dy ndeshjeve të para të sezonit. Ai start përfshin humbjen poshtëruese 4:0 në Brentford në muajin gusht. Ten Hag, i cili fitoi tre tituj kampioni të Holandës dhe dy kupa me Ajaxin, mund ta udhëheqë Unitedin edhe drejt ndonjë trofeu tjetër këtë edicion. Unitedi është në garë për titullin e Premier Leagues, renditet në vendin e tretë në tabelë. Ndërsa javën e shkuar e eliminoi Barcelonën për të avancuar në 1/8 e finales të Ligës së Evropës, ku do të përballet me Real Betisin. Ndërkohë në raundin e pestë të Kupës FA do të përballet me West Ham Unitedin.
Rivali më i madh i Unitedit, nëse e kalon raundin e gjashtë ka gjasa të jetë Manchester City, pasi Arsenali e Liverpooli tashmë janë eliminuar nga Kupa FA. Derisa një sfidë e qëndrueshme për titull ende duket si hap shumë larg për një ekip që përfundoi 35 pikë pas kampionit Manchester City edicionin e kaluar, Unitedi nuk mund të përjashtohet plotësisht.
“Është një mundësi, është e mundur”, tha Ten Hag për ndjekjen e më shumë se një trofeu. “Për sa kohë qëndrojmë me këmbë në tokë dhe luajmë mirë, atëherë është më se e mundur të fitojmë edhe më shumë”.