“Aplikuesi për licencë duhet të vërtetojë se më 31 mars të vitit përpara edicionit, për të cilin aplikon nuk ka pagesa të vonuara kundrejt autoriteteve tatimore, si rezultat i detyrimeve kontraktuale dhe ligjore që kanë rrjedhur para 31 dhjetorit”.
Kështu shkruan në një publikim të vitit 2018, në pikën 18 të rregullores për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s. Ndërkohë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk lejon shkarkimin e rregullores për licencimin e klubeve për garat evropiane për edicionin 2019/2020, që është edhe versioni i fundit i shfaqur në uebfaqe.
Te klubi i futbollit Prishtina thonë se nuk u është dhënë licenca për shkak të vonesës në dorëzim të dokumentacionit. E përmendin afatin e 31 marsit për dorëzim të dosjes së kompletuar. Por te Prishtina thonë se FFK-ja ka vepruar me standarde të dyfishta, përkatësisht se nuk i është përmbajtur këtij afati për klube të tjera.
Drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, thekson se Dukagjini, Gjilani dhe Llapi kanë paraqitur me vonesë dokumentacionin, por këtyre klubeve u është lëshuar licenca për pjesëmarrje në garat evropiane.
Dukagjini tashmë ka mësuar kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, ashtu si Gjilani. Drita do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës do të duhej të paraqitej Prishtina si fituese e Kupës. Por vendin e saj e ka marrë Drita si nënkampione, derisa Dukagjini debuton në Evropë pikërisht për shkak të moslicencimit të Prishtinës.
Te Prishtina pretendojnë se FFK-ja nuk ua ka pranuar dokumentacionet e dorëzuara pas afatit, derisa të njëjtën gjë ua ka mundësuar klubeve të tjera.
“Sipas evidencave, siç është edhe rasti i marrëveshjes së Dukagjinit me ATK-në, e po ashtu edhe zhbllokimi i sistemit të transferimeve nga Gjilani dhe Llapi, po del se edhe këto klube kanë pasur situatë të njëjtë si të FC Prishtinës. Por nuk ka vlejtur i njëjti rregull dhe limit kohor. Nuk është ajo që ne po mendojmë, por fakte që po shihen. Kemi qenë në dijeni më herët. Por çka është pjesa më e çuditshme, është se pjesë e komisionit të shkallës së parë është Naim Havolli, që po ashtu është edhe punëtor i ATK-së. Ai i di saktë procedurat, kur janë bërë marrëveshjet. Ka pasur qasje në të gjitha dokumentet. Edhe nëse nuk janë dorëzuar ato, i ka ditur saktë cilat data dhe kur janë bërë. Kjo është situata faktike. Natyrisht kjo bën të dyshojmë në të gjithë procesin”, ka thënë Osmani për KOHËN të enjten.
KOHA ka siguruar marrëveshjen që Dukagjini e ka arritur me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Marrëveshja për pagesë të borxheve tatimore me këste është nënshkruar më 17 maj të këtij viti. Pra, dy muaj pas afatit kur klubet duhet të paraqesin se nuk kanë detyrime kontraktuale dhe ligjore që kanë rrjedhur para 31 dhjetorit të vitit paraprak.
Sipas dokumentit, Dukagjini i detyrohet ATK-së 44 mijë e 816 euro. Në bazë të marrëveshjes, Dukagjini duhet të kryejë pagesën paraprake në shumën prej 9 mijë eurosh, e cila është 20 për qind e shumës totale të borxhit dhe duhej të paguhej më 19 qershor. Në bazë të marrëveshjes, Dukagjini obligohet të paguajë për çdo muaj, deri në shlyerjen totale, nga 3 mijë e 380 euro. Krahas borxheve, Dukagjini duhet të paguajë me kohë të gjitha obligimet e tjera tatimore pasuese. Dokumenti i protokolluar më 17 maj 2023 përmban vulën e ATK-së dhe të klubit të futbollit Dukagjini. Është firmosur nga udhëheqësi i divizionit dhe kryetari i klubit Dukagjini, Fabian Veseli.
Veseli nuk u është përgjigjur telefonatave të KOHËS.
Drejtori i Prishtinës, Artan Osmani, insiston se klubi prishtinas është refuzuar me arsyetimin se ka pasur vonesë të dorëzimit të dokumentacionit.
“Shkalla e parë është referuar në dy elemente. Nenet për bilanc financiar, të cilin e kanë pranuar si të gabueshëm apo që nuk është i aplikueshëm fare, dhe vonesat në dorëzimin e dokumentacionit. Pra, janë përmendur këto dy kritere që ne nuk i kemi plotësuar”, thotë Osmani.
Në arsyetimin e vendimit nga Shkalla e Parë thuhet se kapitali neto i aplikuesit (Prishtinës) është negativ, që është në kundërshtim me nenin 69 të Rregullores dhe se Prishtina nuk ka dorëzuar dëshmi për nenin 71, “asnjë pagesë e vonuar kundrejt punonjësve”.
Prishtina më pas pati paraqitur fakte. Kryetar i Komisionit të FFK-së për licencimin e klubeve është Naim Havolli, ndërsa menaxher është Bajram Shala, që mban edhe post tjetër në federatë.
KOHA të enjten i ka shkruar edhe FFK-së për të marrë përgjigje se a u është përmbajtur Dukagjini afateve të përcaktuara sipas rregullores për licencim të klubeve në garat e UEFA-s. Por nuk ka marrë përgjigje.
Klubi Prishtina në ankesë pati paraqitur arsyet pse ka të drejtë të pajiset me licencë.
Sipas Prishtinës, neni 69 i Rregullores së Kapitalit Neto hyn në fuqi më 1 qershor dhe se refuzimi duke u thirrur në nenin 69, është plotësisht i pabazë.
Tutje Prishtina në ankesë pati prezantuar të gjitha konfirmimet e detyrimeve të shlyera dhe marrëveshjet që i ka bërë me lojtarët. Më specifik është rasti i Leonit Abazit.
Prishtina ka paraqitur një kallëzim penal kundër Leonit Abazit në Prokurorinë Publike të Prishtinës.
Dëshmitë nuk bindën Shkallën e dytë që refuzoi ankesën e Prishtinës. Prishtina vazhdoi me ankesa. Të drejtën e kërkon në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv të Komitetit Olimpik të Kosovës. Ankesën e ka bërë më 8 qershor.
“15 ditë është afati për të përcaktuar secila palë arbitrin e vet. Ne e kemi zgjedhur, ndërsa ka mbetur ta caktojë edhe Federata, e që besoj se do ta caktojë në ditën e 15-të për t’i shfrytëzuar limitet kohore me shpresë se UEFA nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të bërë ndryshimet e veta në listën e klubeve”, ka thënë Osmani.
Osmani ka bërë të ditur se për çështjen e licencimit kanë njoftuar edhe UEFA-n.
“Para dy ditësh kemi bërë një kontakt me UEFA-n dhe na është thënë që të na dërgojnë vendimin e KAS-it për të vazhduar më pas me procesin e ndërrimit të listës së klubeve. Ne e kemi lajmëruar menjëherë UEFA-n, sepse kemi besuar se FFK-ja nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Osmani.
Derisa Prishtina po e kërkon të drejtën e pretenduar në tavolinë, Dukagjini ka mësuar kundërshtarin e parë evropian. Ndeshjet i luan pas afro një muaji. Gjasat janë të vogla që Dukagjinit t’i merret e drejta e paraqitjes në kualifikimet e Ligës së Konferencës.