Sport

Prishtina paraqet faktet që shpreson t’ia sigurojnë licencën

Prishtina të mërkurën ka deponuar ankesë në Departamentin e licencimit të klubeve për gara të Federatës së Futbollit të Kosovës. Prishtina ka kërkuar nga organi i apelit i FFK-së t’i jepet licenca për pjesëmarrje në garat e UEFA-s për edicionin e ardhshëm, përkatësisht të anulohet vendimi i Komisionit për licencim të klubeve.

FFK-ja ditë më parë njoftoi se ka licencuar nëntë klube për garat evropiane për edicionin e ardhshëm. Por, në mesin e tyre nuk ishte Prishtina.

Komisioni i Shkallës së Parë për Licencimin e Klubeve për garat e UEFA-s e ka refuzuar aplikimin e Prishtinës me arsyetimin se nuk i plotëson kriteret.

Klubi “bardhekaltër” në ankesë ka paraqitur disa argumente dhe pretendon se plotëson të gjitha kriteret për të qenë pjesë e garave të UEFA-s për edicionin 2022/2023.

Në letrën dërguar FFK-së, të cilën e posedon KOHA, Prishtina paraqet arsyet pse ka të drejtë të pajisjet me licencë.

“Arsyeja e parë mbi të cilën KLP refuzoi t’ia jepte licencën e UEFA-s

ankuesit ishte pretendimi i tij ‘kapitali neto negativ’. Në lidhje me këtë, ankuesi nënvizon se vendimi i KLP-së në thelb ka keqzbatuar rregulloret pasi që neni 69 ende nuk është në fuqi . Kështu, nuk mund të shërbejë si bazë për të refuzuar një licencë të UEFA-s”, shkruan në fillim të ankesës.

Sipas Prishtinës, neni 69 i Rregullores së Kapitalit Neto hyn në fuqi më 1 qershor.

“Prandaj, rrjedh se për edicionin 2023/2024, Rregulli i Kapitalit Neto i parashikuar në

nenin 69 nuk është i zbatueshëm. Në fakt, për sezonin 2024/2025, Rregulli i ri i

Ekuitetit nuk do të çojë në refuzimin e dhënies së licencës, por në sanksione të tjera

në përputhje me rregulloret kombëtare. Rrjedhimisht, refuzimi për t’i dhënë ankuesit një licencë të UEFA-s mbi bazën e një shkeljeje të pretenduar të Rregullës së Ekuitetit Neto është plotësisht i pabazë”.

Tutje Prishtina në ankesë ka prezantuar të gjitha konfirmimet e detyrimeve të shlyera dhe marrëveshjet që i ka bërë me lojtarët.

“Arsyeja e dytë për të cilën ankuesit iu mohua Licenca e UEFA-s është ekzistenca e

pretenduar e detyrimeve të papaguara. Në veçanti, me një ‘e-mail’ të datës 23 shkurt 2023, FFK-ja e informoi ankuesin për borxhet e papaguara që kishte ndaj disa lojtarëve, në bazë të informacionit që dispononte. Kështu, ankuesi kupton se vendimi i KLP-së për të refuzuar licencën e UEFA-s ishte për shkak se ankuesi nuk arriti të provonte se nuk kishte detyrime të prapambetura ndaj atyre lojtarëve”, shkruan në ankesë.

Siç shkruan Prishtina, ndaj ish-portierit Visar Bekaj dhe ndaj Lorik Boshnjakut e Orhan Abdit nuk ka detyrime pasi janë shlyer plotësisht.

“Sa i përket Dhurim Zhurrit , ankuesi ka arritur një marrëveshje zgjidhjeje me të, me të cilën ankuesi ka paguar 50% të borxhit në atë ditë, ndërsa 50% e mbetur i

paguhet në afat deri 30 korrik 2023. Ankuesi arriti një marrëveshje me Fisnik Kërqelin me të cilin ankuesit i ishte shtyrë borxhi deri më 1 shtator 2023. Kështu kjo shumë nuk mund të konsiderohet si e papagueshme”, shkruan tutje në ankesën e Prishtinës.

Për rastin e Leonit Abazit, Prishtina ka thënë se “është një rast shumë serioz që meriton vëmendje dhe konsideratë të veçantë”.

Prishtina ka paraqitur një kallëzim penal kundër Leonit Abazit në Prokurorinë Publike të Prishtinës për, siç shkruan, “krime të kryera në bazë të neneve 78 dhe 80 të Kodit të Kosovës”.

“Rrjedhimisht borxhi i pretenduar që ankuesi ka ndaj Abazit është aktualisht subjekt i një procedimi të hapur – në të vërtetë një procedim penal – dhe si rrjedhim nuk mund të përbëjë një vonesë”.

Ankesa drejtuar FFK-së mban firmën e menaxherit të përgjithshëm të Prishtinës, Artan Osmani. Osmani për KOHËN ka thënë se beson që Prishtina do të jetë pjesëmarrëse në edicionin e ardhshëm të garave të UEFA-s.

“Ne besojmë se do të merret parasysh ankesa jonë dhe do të marrim licencën për pjesëmarrje në garat evropiane”, ka thënë Osmani.

Krahas Prishtinës edhe Ferizaj e Drenica nuk kanë marrë licencë.