Sport

Shorti pas dy ditësh, Prishtina ende pret KAS-in

Kanë kaluar dhjetë ditë prej se klubi i futbollit Prishtina dorëzoi ankesën në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) të Komitetit Olimpik të Kosovës. Prishtinës do t’i duhen edhe disa ditë të tjera për të pranuar një vendim nga KAS-i. Vendim i këtij organi, megjithatë, mund të jetë i vonshëm për fituesen e Kupës së Kosovës.

Gjasat janë shumë të vogla që vendimi i KAS-it të merret para se të tërhiqet shorti për kualifikimet e Ligës së Konferencës. Si fituese e Kupës së Kosovës, Prishtina në aspektin sportiv e ka të drejtën e paraqitjes në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka licencuar Prishtinën për gara evropiane. Ankesa e Prishtinës është refuzuar edhe nga shkalla e dytë.

Drejtuesit e Prishtinës insistojnë se e drejta është në anën e tyre. Shpresojnë që kjo të konfirmohet nga KAS-i.

Shorti i raundit të parë kualifikues është të martën. Ndërsa për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës është të mërkurën.

Kryetari i KAS-it, Eroll Salihu, thotë se gjatë javës së ardhshme do të caktohen gjyqtarët për shqyrtimin e ankesës së Prishtinës. Pra, përfundimi i lëndës nuk duket afër.

“Javën e ardhshme caktohen gjykatësit, caktohet kryetari i gjyqit dhe fillon procesi. Në bazë të akteve që kemi, vendosim drejtësinë. Gjykata e Arbitrazhit dhe KAS-i ndërkombëtar nuk mund t’u përshtaten orareve. Janë afate të shenjta, që nuk guxon t’u ikësh. Nuk guxojmë t’u ikim procedurave. Gjykata jep verdiktin e vet, çka ndodh më pas varet nga Prishtina dhe Federata. Ne nuk mund të hyjmë në mes, ne marrim vendim se cila palë ka të drejtë”, ka thënë të dielën Salihu për KOHËN.

Salihu pritet të mos përfshihet në rastin e Prishtinës. Ai në të kaluarën e largët ka qenë futbollist i Prishtinës dhe më herët sekretar i FFK-së për shumë vjet.

Prishtina do të duhej të merrte pjesë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por pasi nuk është licencuar, në raundin e dytë kualifikues si nënkampione e Kosovës do të marrë pjesë Drita. Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të marrin pjesë Gjilani dhe Dukagjini, që ishin në pozitat tre e katër në Superligë. Dukagjini pritet të debutojë në Evropë falë moslicencimit të Prishtinës.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, do të paraqitet në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Futbollistët e Prishtinës ka pak gjasa të prishin pushimet e nisura pas triumfit në Kupë. Me shumë gjasë do t’i nisin përgatitjet në fillim të korrikut.

Drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, thotë se janë në pritje të caktimit të gjyqtarëve nga KAS-i.

“Do ta kërkojmë deri në fund të drejtën tonë”, ka thënë Osmani të dielën.

Më herët Prishtina ka bërë të ditur se organet e UEFA-s janë të njoftuara për procesin gjyqësor.

Megjithatë, shorti me shumë mundësi do të jetë me Dukagjinin pjesë të tij e pa Prishtinën. KAS-i edhe mund t’i japë të drejtë Prishtinës, por për paraqitje në Evropë mund të jetë vendim i vonshëm.