Në gusht të vitit 2021, Rron Broja gjatë prezantimit shtrëngoi duart me drejtorin sportiv, Valon Zymberi. Me të përfunduar edicioni 2022/2023, Drita ia vazhdoi kontratën mesfushorit të qendrës. Për kontributin e madh, Drita ia besoi shiritin e kapitenit për edicionin aktual të Superligës, pas largimit të Ardian Limanit.
“Për mua është nder i madh dhe privilegj, sepse jam kapiten i kësaj skuadre me këta futbollistë fantastikë. Për këtë klub të madh me këta tifozë që i ka Drita, është nder shumë i madh dhe mundohem që t’i përkushtohem sa më shumë kësaj detyre, që ta bëj me përgjegjësinë më të madhe”, ka thënë mesfushori nga Mitrovica në një bisedë për KOHËN.
Broja karrierën e nisi në qytetin e lindjes, Mitrovicë. Në moshën 7-vjeçare u regjistrua në shkollën e futbollit Trepça ’89.
Më pas për një periudhë ishte pjesë e të rinjve të Gentit e po ashtu, edhe te Deinze në Belgjikë. Ka bërë karrierë edhe te Shkupi dhe Partizani i Tiranës. Ai është i kënaqur me arritjet në karrierë, ndonëse vlerësohet me potencial për të luajtur edhe në liga serioze evropiane.
“Po, gjithmonë jam mjaft i lumtur dhe falënderues për ato që i kam. Futbollin e kam filluar në moshën shtatëvjeçare te Trepça ’89 ku i kam kaluar gjitha gjeneratat. Kam pasur përvojë edhe jashtë në Belgjikë te Genti. Pastaj jam rikthyer përsëri në Kosovë te Trepça ’89, kam qenë pjesë e Shkupit, Partizanit dhe tash te Drita. Në përgjithësi jam mjaft i lumtur me arritjet e mia. Normal gjithmonë njeriu kërkon më shumë. Përsëri besoj se mund të arrij më shumë dhe vazhdoj të punoj për këtë”, është shprehur Broja.
Ai pret që edhe në të ardhmen të luajë në ndonjë klub evropian. Thotë se ka ende energji për të synuar më shumë.
“Po, besoj se po. Mirëpo, besoj se në futboll duhet edhe pak fat. Ndoshta ndonjëherë më ka munguar edhe fati. Disa herë edhe lëndimet. Mirëpo, sido që ka shkuar, besoj se përsëri edhe kështu jam i lumtur për arritjet e mia”, ka theksuar Broja, djaloshi fjalëpak e punëtor i madh në fushë.
“Përderisa luaj futboll, stërvitem çdo ditë, besoj dhe shpresoj që përsëri të ikë diku jashtë në ndonjë ekip të madh”.
Broja njihet edhe për maturinë dhe sjelljet shembullore në fushë dhe jashtë saj. 27-vjeçari e pranon se është person i qetë.
“Në përgjithësi jam edhe jashtë fushës person ku shumicën e kohës jam i qetë, kam qejf të rri në qetësi dhe ndoshta për këtë”, ka thënë ai.
Broja ka synime që të debutoj në ndeshje zyrtare me Kosovën. Pozita në të cilën luan ai, nuk është se mbulohet mirë në përfaqësuese. Por Broja asnjëherë nuk e fitoi rastin të dëshmohet në ndeshje kualifikuese.
“Kam shumë synime si debutimi me Përfaqësuesen e Kosovës, si arritja e ndonjë transferimi jashtë. Shpresoj që me shumë punë që do të bëj, në të ardhmen t’i arrij edhe këto synime”, ka thënë Broja.
Ai ka tri paraqitje për Kosovën. Para se të luante për përfaqësuesen “A” të Kosovës ka luajtur pesë ndeshje për Shpresat e Shqipërisë dhe tetë ndeshje për Shpresat e Kosovës.
“Gjithmonë besoj se mund të jem pjesë e Përfaqësueses, mirëpo në momentin që trajnerët apo kushdo qoftë që merr vendim dhe e sheh të arsyeshme të më ftojë, unë do të jem i gatshëm. Dhe shpresoj që të vijë ai moment”, është shprehur Broja.
Broja ka synim po ashtu me Dritën ta fitojë titullin e kampionit. Drita është në vendin e dytë me 21 pikë nga nëntë ndeshje. Ballkani është lider me 23 pikë.