Futbollistëve të Ballkanit u është dhënë pushim të mërkurën. Pushim i merituar pas fitores së madhe ndaj gjigantit bullgar, Ludogorets.
Të martën mbrëma në Prishtinë, Ballkani e fitoi me rezultatin 2:0 ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Menjëherë të enjten lojtarët e kampionit të Kosovës do t’i nisin përgatitjet për ndeshjen kthyese.
“E kemi rezultatin në favorin tonë dhe duhet ta menaxhojmë mirë, sepse kemi përvojën brenda ekipit”, tha Qëndrim Zyba të mërkurën për KOHËN.
Zyba shënoi golin e dytë të fitores së madhe të Ballkanit. Shumë e vlerësojnë më të madhen deri më tani.
“Jam shumë i lumtur për golin dhe paraqitjen e ekipit. Ishim në nivel të lartë. Për mua ishte goli më i bukur deri më tani në karrierë”, është shprehur mesfushori.
Edhe më të lumtur se goli Zybën e bën fitorja ndaj Ludogoretsit.
“Ludogoretsi është kundërshtar shumë i fortë, por ne e bëmë të duket pa forcë. Për ne është rezultat shumë i mirë. Kemi edhe një ndeshje që duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Duhet të jemi të vëmendshëm në çdo veprim që bëjmë në ndeshjen e kthimit”.
22-vjeçari insiston se Ballkani u fut në fushë vetëm për fitore.
“Kemi besuar në kualitetin e skuadrës që kemi dhe jemi futur për fitore. E arritëm me plot meritë. Në të gjitha aspektet ishim dominues përballë kundërshtarit. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi kemi edhe një ndeshje tjetër të fortë para vetes”, ka thënë Zyba.
Fitorja e Ballkanit ishte plotësisht e merituar. Përveçqë realizoi dy gola, kampioni i Kosovës dominoi plotësisht në fushë. Kishte posedimin e topit, ndërsa ka lëshuar edhe raste për golin e tretë.
Ludogoretsi, që vlerësohej favorit, në pjesën e parë nuk ka rrezikuar asnjëherë. Vetëm pas minutës së 70-të pati disa raste, por pa konkretizim.
Edhe Meriton Korenica thotë se me meritë fituan ndeshjen e parë. Ai tërheq vëmendjen se ende asgjë nuk ka përfunduar. Korenica shënoi golin e parë për Ballkanin të martën mbrëma. Shënoi me goditje nga distanca.
“Golat në këto gara janë me një emocion ndryshe. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë për fitoren”, ka thënë Korenica për KOHËN.
Sulmuesi i krahut thotë se Ludogoretsi është skuadër e fortë, me gjithë humbjen.
“Është një kundërshtar shumë i fortë, me lojtarë shumë cilësorë. Por ne gjithmonë e bëjmë lojën tonë dhe mundohemi t’i kryejmë detyrat që na i jep trajneri”, thotë 26-vjeçari.
Ballkani është ngritur shumë si skuadër. Për ngritjen e Ballkanit merita të mëdha ka trajneri Ilir Daja.
Nën drejtimin e Dajës, Ballkani vjet arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që ishte sukses historik për Kosovën.
Rrugëtimin e suksesshëm në Ligën e Konferencës e bëri pas eliminimit në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Zhalgirisi i Lituanisë.
Tani suharekasit synojnë të shkruajnë një tjetër kapitull – të kalojnë në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
“Do të jetë edhe më e vështirë ndeshja në Bullgari, pasi ende nuk ka përfunduar asgjë. Do të luftojmë deri në fund. Edhe pse kemi rezultatin, ne duhet të tregojmë karakter dhe të jemi gjithë bashkë për t’u kualifikuar”, ka thënë Korenica.
Në rast se kalon tutje, Ballkani në raundin e dytë kualifikues do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet Olimpia Lubjanës së Sllovenisë dhe Valmieras së Letonisë. Por, faza e dytë është ende larg. I gjithë fokusi është te ndeshja e kthimit në Bullgari, të mërkurën e ardhshme.