Sport

Te Ballkani të zhgënjyer, por edhe të motivuar për të vazhduar tutje

Futbollistët e Ballkanit janë kthyer të zhgënjyer të enjten në Kosovë nga Bullgaria. Kampioni i Kosovës, Ballkani, një natë më parë në Razgrad të Bullgarisë u eliminua nga Liga e Kampionëve.

Suharekasit nuk realizuan synimin që kishin – të bëhen kampionët e parë nga Kosova që kalojnë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ballkani u ndal në raundin e parë kualifikues të Championist, si vitin e kaluar dhe si kampionët e mëparshëm të Kosovës. Me rezultat të përgjithshëm, 4:2, u eliminua nga Ludogoretsi, kampioni i Bullgarisë.

Ballkani vazhdon garën në Evropë, aty ku vjet shkroi histori – në Ligën e Konferencës.

Suksesin e njëjtë synon ta arrijë edhe në edicionin aktual. Pra të sigurojë paraqitjen në fazën e grupeve të garës së tretë për nga niveli i UEFA-s. Për kundërshtar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do ta ketë Larnen e Irlandës së Veriut.

Mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba, thotë se zhgënjimi është i madh. Por ai pranon edhe forcën që kishte Ludogoretsi.

“Jemi shumë të zhgënjyer si skuadër me paraqitje në ndeshjen e dytë. Kemi pritur më shumë, kemi ëndërruar kualifikimin, por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi. U ndëshkuam nga gabimet tona. Ludogoretsi u paraqit me një fytyrë tjetër në Bullgari dhe ishte me të vërtetë një kundërshtar shumë i fortë për ne”, ka thënë Zyba të enjten për KOHËN.

Zyba shënoi golin e dytë në fitoren e madhe të Ballkanit ndaj Ludogoretsit javën e kaluar në Prishtinë. Ballkani e mposhti 2:0 skuadrën e madhe bullgare. Fitorja e arritur në “Fadil Vokrri” rriti entuziazmin te lojtarët dhe shikuesit e Ballkanit.

“Ne po rritemi çdo ditë dhe po ëndërrojmë çdo ditë më shumë. Dhe tani duhet ta harrojmë eliminim nga Championsi për t’u fokusuar për ndeshjet e Ligës së Konferencës. Duhet të përqendrohemi maksimalisht. Duhet ta harrojmë sa më shpejt eliminimin dhe të rikthehemi ashtu siç është mësuar e gjithë Kosova të na shohë me rezultate të mira dhe lojë të mirë”, është shprehur Zyba.

Edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, thotë se zhgënjimi është i madh pas eliminimit nga Championsi.

“Një ndeshje e parë fenomenale, mirëpo një zhgënjim në ndeshjen e dytë. Ndikuan shumë faktorë, mirëpo ndodhi ajo që nuk e kemi pritur asnjëri prej nesh. Prandaj edhe zhgënjimi është shumë i madh”, ka thënë Thaqi për KOHËN të enjten.

Mesfushori Zyba thotë se tashmë Ludogoretsi i takon së kaluarës. Ai thekson se fokusi duhet të jetë për ndeshjen kundër Larnes të Irlandës së Veriut.

Ndeshjen e parë kundër kampiones së Irlandës së Veriut, Ballkani e luan më 27 korrik në Prishtinë, kurse të kthimit më 3 gusht në Belfast. Larne për herë të parë në garat evropiane është paraqitur në edicionin 2021/2022. Në edicionin debutues e ka edhe të arriturën më të madhe. Ishte eliminuar në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ishte eliminuar nga Paços de Ferreira e Portugalisë. Në edicionin 2022/2023 u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në edicionin aktual u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Helsinki i Finlandës. Titullin e vetëm të kampionit në Irlandë të Veriut, Larne e fitoi edicionin e kaluar.

“Kemi një javë për t’u përgatitur dhe për ta analizuar kundërshtarin. Shpresojmë të kalojmë tutje”, është shprehur Zyba.

Mbrojtësi Thaqi pranon se nuk kanë ende njohuri për kundërshtarin. Por shton se kanë një javë kohë për t’u përgatitur maksimalisht.

“Kundërshtari i radhës është Larna nga Irlanda e Veriut dhe ende nuk kemi parë diçka te kundërshtari. Do ta analizojmë në detaje dhe do të synojmë të vazhdojmë rrugën në Ligën e Konferencës sa më lart të jetë e mundur”, ka thënë Thaqi.

Për Ballkanin është hera e dytë që merr pjesë në garat evropiane. Edhe edicionin e kaluar u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. U eliminua nga Zhalgirisi, ndërsa vazhdoi me sukses paraqitjen në Ligën e Konferencës. U bë skuadra e parë e Kosovës që garoi në grupe në gara evropiane.