Sport

Te Ballkani premtojnë paraqitje të madhe në Pragë

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pranuar se Slavia e Pragës është favorit përballë ekipit të tij në përballjen evropiane.

Por, trajneri nga Tirana ka premtuar paraqitje të madhe nga futbollistët e tij ndaj klubit të madh nga Çekia. Ai ka theksuar se Ballkani synon të jetë shembull në Evropë për paraqitje të mira dhe angazhim. Ndeshja në mes të Slavias së Pragës dhe Ballkanit do të zhvillohet të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Fortuna Arena”. Është ndeshja e dytë e grupit G të Ligës së Konferencës.

Ballkani në debutim në fazën e grupeve barazoi në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin 1:1 kundër Clujit, ndeshje që u zhvillua javën e kaluar. Daja pret nga ekipi i tij të bëjë një tjetër paraqitje të madhe, siç bëri ndaj ekipit rumun, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë.

“Asgjë nuk bëhet më e lehtë për ne, sepse secila ndeshje është më e vështirë dhe në grupe ekipet janë më të forta se në rundet kualifikuese. Dua që të bëjmë më të mirën dhe të paraqitemi sa më të fortë. Favorit është Slavia, por ne do të përpiqemi të japim maksimumin me të gjitha mundësitë për ta vazhduar serinë pozitive që e kemi. E rëndësishme është të bëjmë një prezantim të mirë jo vetëm të ekipit tonë, por të të gjithë futbollit të Kosovës”, ka thënë Daja të mërkurën, në konferencën për shtyp.

Ai ka theksuar se Slavia është ekip më me përvojë në arenën evropiane. Por, trajneri i kampionit të Kosovës ka insistuar se do të mundohen ta japin më të mirën në këtë duel.

“Për ne është hera e parë marrim pjesë në garat evropiane dhe ndeshja e parë në udhëtim, ku përballë e kemi një ekip që është favorit për kalimin e grupit dhe ka rezultate të mira në kampionat dhe përvojë në garat evropiane. Ne do të përpiqemi me mundësitë tona të bëjmë më të mirën e mundshme dhe të bëjmë një paraqitje tjetër të madhe sikurse ndaj Clujit në ndeshjen e parë”, është shprehur Daja.

Në Pragë, futbollistët e Ballkanit kanë mbërritur të mërkurën gjatë ditës, ndërsa pas konferencës në mbrëmje kanë zhvilluar edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Slavias. Përkrah trajnerit Daja në konferencë për media u paraqit edhe portieri Stivi Frashëri. Frashëri ka thënë se pret angazhim të madh të të gjithë futbollistëve në ndeshjen kundër Slavia Pragës.

Edhe Frashëri ka pranuar se Slavia mbetet favorite jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe për ta fituar grupin. Mirëpo, ai ka thënë se pret një paraqitje të mirë të Ballkanit, e cila mund të sjellë një rezultat të favorshëm.

“Është kënaqësi të kemi mundësinë të luajmë me një kundërshtar si Slavia. Shpresoj të bëjmë më të mirën dhe të kemi një rezultat të favorshëm. Normalisht, Slavia tregon vetvetiu se është kundërshtar më i fortë se Cluji e Sivasspori dhe është pretendenti kryesor për ta fituar grupin. Duhet të jemi shumë më të motivuar se ndaj Clujit, të japim maksimumin dhe të mos lejojmë të ndëshkohemi. Do t’i shijojmë ndeshjet në fazën e grupeve, pasi është hera e parë që luajmë”, ka thënë Frashëri.

Ai insiston se ekipi duhet të mos ndalet derisa ndeshje të përfundojë, duke iu referuar ndeshjes ndaj Clujit. Ndaj ekipit rumun, Ballkani, ishte duke fituar deri në minutën e 90-të me rezultat 1:0. Por, goli i pësuar në fund të ndeshjes bëri që Ballkani të mos i fitojë pikët e plota.

“Ne duhet të vlerësojmë çdo moment deri në fund të ndeshjes, e jo sikurse me Clujin që menduam se ndeshja kishte mbaruar dhe kundërshtari në ato momente na ndëshkoi për të na e larguar fitoren nga duart në fund. Për mua do të jetë mirë të luajmë në një stadium me atmosferë të madhe, sigurisht nuk do të jetë lehtë. Ne jemi përgatitur mirë dhe shpresoj ta shijojmë. Shpresoj të jap më të mirën nga vetja dhe të dëshmojmë se mund të luajmë futboll edhe pse jemi ekip i vogël nga një shtet i vogël”, ka thënë Frashëri.

Ballkani ndeshjen e radhës në Evropë do ta luajë sërish në udhëtim, por në muajin e ardhshëm. Më 6 tetor do të përballet me Sivassporin në Turqi.