Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Daja premton paraqitje të madhe të Ballkanit ndaj Slavias

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka thënë se Slavia e Pragës është favorit përballë ekipit të tij. Por, trajneri nga Tirana ka premtuar paraqitje të madhe të ekipit të tij ndaj klubit çek.

“Asgjë nuk bëhet më e lehtë për ne, sepse secila ndeshja është më e vështirë dhe në grupe ekipet janë më të forta se në kualifikime. Dua që të bëjmë më të mirën dhe të paraqitemi më fortë. Favorit është Slavia, por ne do të përpiqemi të japim maksimumin për të gjitha mundësitë për ta vazhduar serinë pozitive. E rëndësishme është të bëjmë një prezantim të mirë jo vetëm të ekipit tonë por të gjithë futbollit të Kosovës”, ka thënë Daja të mërkurën në konferencën për media në prag të ndeshjes së dytë të grupit G të Ligës së Konferencës.

Ai ka theksuar se Slavia është ekip më me përvojë.

“Për është hera e parë marrim pjesë në garat evropiane dhe ndeshja e parë në udhëtim, ku përball kemi një ekip që është favorit për kalimin e grupit dhe ka rezultate të mira në kampionat dhe përvojë në garat evropiane. Ne do të përpiqemi me mundësitë tona të bëjmë m ë të mirën e mundshme dhe të bëjmë një paraqitje tjetër të madhe sikurse ndaj Clujit në ndeshjen e parë”, është shprehur Daja.