Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, ka thënë se takimi i së enjtes me zyrtarë të Premier Leagues ka qenë humbje kohe dhe e krahasoi atë me një mur pasi ishte vendosur gjithçka paraprakisht.
Me një numër të madh të skuadrave të prekura nga rastet me Covid-19, takimi virtual ishte për të diskutuar rreth kalendarit të ndeshjeve, mirëqenien e futbollistëve dhe disa çështje tjera me rëndësi.
Janë shtyrë tri ndeshje të Premier Leagues në këtë fundjavë, ndërsa gjashtë të tjera u shtynë në xhiron e kaluar.
“Kemi provuar të flasim dhe të kërkojmë zgjidhje, por mendoj se gjithçka ishte e vendosur dhe mendoj se të enjten përballë kishim vetëm një mur. Për këtë arsye nuk kisha dëshirë të hyja në diskutim, sepse kur ke një mur përpara dhe mund të flasësh, mund të pyesësh çfarë të duash, por vendimet veçse janë marrë”, theksoi Conte.
Tottenhami të dielën luan kundër Crystal Palacet.