Në ditën që e postoi një falënderim për italianin Edoardo Reja, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka bërë prezantimin e trajnerit të ri të Shqipërisë, brazilianin Sylvio Mendes Campos Junior apo Sylvinho. Reja është larguar pas tre vjetësh nga Shqipëria, ndërsa Sylvinho ka firmosur kontratë për 18 muaj dhe gjatë kësaj periudhe i ka synimet e mëdha me “kuqezinjtë”. Në prezantimin e tij të parë para mediave, të hënën, Sylvinho ka thënë se synimi i tij është ta kualifikojë Shqipërinë në “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani. Ai ka pranuar se ky nuk do të jetë aspak një mision i lehtë, por ka insistuar se beson në grupin e futbollistëve që e ka në dispozicion. Ciklin eliminator për Evropianin e vitit të ardhshëm Shqipëria e nis në fund të muajit mars, kur do të luajë në udhëtim ndaj Polonisë. Megjithatë, para këtij dueli Sylvinho ka kërkuar një ndeshje miqësore për të konfirmuar se ekipi i tij është plotësisht gati për ta kërkuar kualifikimin në “Euro 2024”. Krahas Polonisë, Shqipëria në kuadër të Grupit E kualifikues do të përballet edhe me Moldavinë, Ishujt Faroe e Çekinë. Dy ekipet e para në grup do të avancojnë në Evropian, ndërsa Sylvinho synon njërën prej këtyre pozitave.
“Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë e pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai e pa atë në urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit. Federata Shqiptare më bindi. Më bindi që të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur dhe besoj se do të bëjmë një punë të mirë. Duhet të imponohemi në fushë, duhet të jemi agresivë. Nevojitet agresivitet sportiv”, ka thënë Sylvinho. “Grupi i eliminatoreve të ‘Euro 2024’ është shumë i ekuilibruar, nuk do të jetë e thjeshtë për asnjë, por ne duam të kualifikohemi. Do punojmë fort dhe do luftojmë për të realizuar kualifikimin në Evropian. Ndeshja e parë është shumë e vështirë. Grupi është i ekuilibruar, por jemi të bindur që do garojmë për kualifikimin. E dimë çfarë duhet të bëjmë”.
48-vjeçari insistoi se me padurim pret ta fillojë punën te Shqipëria. Ai për herë të parë do ta drejtojë një përfaqësuese, pasi më herët ka punuar si trajner vetëm në nivel klubesh. Zejen e trajnerit e nisi te Lyoni në Francë, përpara se ta vazhdojë te Corinthiansi në Brazil. Për katër vjet Sylvinho ka punuar edhe si asistent i trajnerit Tite te Përfaqësuesja e Brazilit. Ndërkohë si lojtar Sylvinho ka një karrierë të pasur, pasi ka bërë karrierë te Corinthiansi, Arsenali , Celta Vigo, Barcelona e Manchester City.
“Jam një njeri me fat, vite më parë kam pasur trajnerë si Wengerin, Gurdiolën, Mancinin. Te Brazili kam bashkëpunuar me Titen. Nëse je trajner, duhet të bësh gjëra që i beson. Projekti është shumë i mirë. Jam një person që punoj shumë, më pëlqejnë sfidat dhe kam mentalitetin e duhur. Do të ndihem si në shtëpi. Më dha përshtypje shumë të mira atmosfera rreth Kombëtares. Këto më dhanë një shtysë të fortë në zemrën time që të zgjidhja kombëtaren e Shqipërisë” u shpreh Syvlinho.
Braziliani nuk harroi ta falënderonte edhe italianin Reja, i cili po ashtu ishte i pranishëm në këtë konferencë. Sylvinho shtoi se Reja ka bërë një punë të mirë gjatë kësaj periudhe dhe është këtu për ta vazhduar atë.
“Jemi këtu për të dhënë maksimumin, do të zgjedhim lojtarët që do japin maksimumin për këtë fanellë. Erdha këtu që t’i jap vazhdimësi punës së trajnerit Reja. Normalisht do të përfshijmë edhe mentalitetin tonë për futbollin. Doja t’i thosha diçka Rejës. Faleminderit për punën që ka bërë, për zemrën, për pasionin”, u shpreh Sylvinho.
Ndërkohë, Reja veçse i uroi mirëseardhje Sylvinhos, tha se po largohet me kokën lart nga Shqipëria.
“Jam jashtëzakonisht i emocionuar. Çdo rrugëtim ka një fund, por do të doja të nënvizoja rezultatet e arritura, që nuk janë për t’u lënë mënjanë. Kam gjetur një skuadër që nuk kishte as krye dhe as fund. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi krijuar një strukturë, një skuadër dhe një grup të bukur. Nëse Sylvinho, do të ketë kapacitetin për të bashkuar punën e bërë do të ketë sukses”, tha Reja. “Më vjen keq që nuk arritëm në Botëror, pasi besoja fort pas dy fitoreve me Hungarinë. Ishim shumë pranë kualifikimit. Uroj që Sylvinho të niset nga kjo bazë. Po e lëmë një grup të fortë. Uroj të mos ketë mungesa siç kam pasur unë.