Sulmuesi Alexander Isak është përforcimi më i ri i Newcastle Unitedit. Isak është prezantuar të premten tek ekipi anglez, te i cili u transferua nga Real Sociedadi. Detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar, por është raportuar se Isak ka firmosur kontratë gjashtëvjeçare me Newcastlen, ndërsa Sociedadi ka përfituar 70 milionë euro nga transferimi i tij në Angli.
22-vjeçari te Newcastle do ta bartë fanellën me numrin 14. “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi. Mendoj se kam bërë vendimin e duhur, pasi klubi ka një projekt ambicioz që besoj se do të jetë shumë i suksesshëm”, ka thënë Isak, i cili është bërë përforcimi i katërt te Newcastle këtë verë.
Isak krahas Real Sociedadit, karrierë ka bërë edhe te Borussia Dortmundi, Willem II e AIK-u. Ai ka edhe 37 paraqitje dhe nëntë gola të shënuar me Përfaqësuesen e Suedisë.