Ka pak më shumë se dy muaj që është emëruar drejtor i përgjithshëm i KB Sigal Prishtina. Mirëpo kapiteni legjendar i klubit nga kryeqyteti thotë se ende nuk është adaptuar mirë me rolin e ri, ndonëse po punon dhe angazhohet për një të ardhme të ndritur të Sigal Prishtinës. Në ditën që i dha fund karrierës aktive (18 qershor), Azemi u emërua në postin e drejtorit të përgjithshëm te klubi që dha gjithçka nga vetja si lojtar. Në një intervistë për KOHËN, Azemi tha se po ambientohet gradualisht me rolin e drejtorit, ndonëse pranoi se aspak nuk po e ka të lehtë kur po e sheh ekipin të stërvitet. Ai thotë se ende po e tërheq parketi për të luajtur, por po i reziston, sepse tani nuk i ka fanellat në trup, por petkun e drejtorit të përgjithshëm.
“Po më vjen shumë vështirë t’i shoh nga anash lojtarët duke u stërvitur, sepse ende kam adrenalinë dhe po më ngre parketi sikurse magnet. Mirëpo duhet të adaptohem me rolin e ri sepse tani mendjen nuk duhet ta kem te përgatitja ime personale për sezonin e ri, por te përgatitja e klubit në çdo aspekt”, u shpreh Azemi. “Vazhdimisht jam pranë ekipit, qoftë në stërvitje apo ndeshje miqësore. Tërë kohën jam në kontakt me trajnerin, lojtarët dhe iu qëndroj afër sepse tani kjo është detyra ime e re në klub”.
Azemi pranon se roli i drejtorit të përgjithshëm aspak nuk është i lehtë dhe dallon shumë prej atij të kapitenit që e kishte në klub deri në sezonin e shkuar, kur e ngriti trofeun e Kupës dhe Superkupës së Kosovës.
“Nuk është aspak rol i lehtë ky i drejtorit. Sepse kur jam futur nuk e kam ditur se në çka po futem. Por, po adaptohem gradualisht dhe besoj se do të kthehemi fuqishëm si ekip në sezonin e ri”, insistoi ai.
“Si lojtar kam qenë edhe kapiten dhe kam menduar për klubin dhe për veten. Por, si drejtor nuk po është lehtë, sepse duhet të mendosh për çdo detaj, përfshirë edhe buxhetin e klubit”.
Ai ka zbuluar se në klub i kishin kërkuar që të vazhdonte si lojtar, të paktën edhe për sezonin 2021/22 që nis muajin tjetër. Mirëpo Azemi më herët kishte bërë plane për të ardhmen e tij, në një post tjetër në klubin e zemrës.
“Mua më kërkuan që të luaj ende, por pozita e drejtorit ishte e lirë dhe kandidova për atë post, pasi doja ta sfidoja veten në një rol tjetër, jashtë parketit. Mendoj se kam luajtur mjaftueshëm dhe kam arritur shumë suksese me klubin. Ishte koha e fundit, që të tërhiqem nga loja aktive e basketbollit”, u shpreh Azemi.
Me të marrë pozitën e drejtorit të përgjithshëm, Azemi nisi punën e tij për ta kompletuar ekipin për sezonin e ri. Ai fillimisht e solli prej trajnerit Ante Nazorin nga Kroacia, dhe këtë e bëra me qëllim të caktuar. Nazor është i njohur për punën me të rinj dhe synimi i Azemit është që nga Prishtina të dalin basketbollistë të shquar, të cilët më vonë do ta vazhdojnë karrierën në Evropë. E nëse ndodh kjo, atëherë ky do të jetë suksesi më i madh i Azemit si drejtor i përngjitshëm, ndonëse pranon se ka dëshirë që në këtë post të shijojë edhe trofe me Prishtinën. Ai thotë se ka vendosur ta ndërrojë strategjinë e klubit për t’u fokusuar te lojtarët e rinj.
“Si drejtor unë kam shkuar në aspektin për të angazhuar lojtarë të rinj shqiptarë që kanë lindur në Kosovë për të krijuar një ekip stabil. Në përgjithësi, synimi im është që këtyre lojtarëve t’ua japim hapësirën e duhur në përgjithësi për ta treguar veten. Lojtarët e rinj na nevojiten dhe ne do të punojmë me ta”, është shprehur Azemi. “Dua të krijoj ekip për të ardhmen, i cili do të ketë paraqitje të mira. Kjo edhe është arsyeja që e kam marrë trajnerin Ante Nazor, i cili ka pasur suksese me gjeneratat e reja. Kam menduar shumë dhe kam dashur të ndërroj strategjinë e klubit, si dhe të aktivizoj edhe akademinë e klubit. Dua t’u kushtohet vëmendje të rinjve, sepse kemi nevojë për talente të basketbollit në Kosovë”.
Azemi dëshiron që sukseset si lojtar t’i ketë edhe si drejtor. Mirëpo, ai insiston se suksesi më i madh për të do të ishte nëse Prishtina do të nxirrte një lojtar për të bërë karrierë diku në Evropë.
“Si lojtar vazhdimisht kam pasur suksese të mëdha, por besoj edhe si drejtor, ndonëse gjithçka varet nga buxheti i klubit. Kemi krijuar një ekip të ri për këtë sezon dhe shpresoj të jetë i suksesshëm në sezonin tim të parë si drejtor”, shprehet Azemi. “Megjithatë, suksesi më i madh i imi si drejtor do të ishte nëse del një lojtar prej akademisë sonë dhe përfaqëson ngjyrat e Prishtinës në Evropë. Pra, suksesi nuk do të thotë vetëm trofetë, ndonëse dëshira ekziston edhe për tituj”.
Azemi prej vitit 1999 ka qenë pjesë e Prishtinës dhe vetëm në disa periudha ishte larguar nga klubi kur kishte shkuar të luante për Valbonën, MZT Skopjen, Lirinë e Shkupit dhe në Islandë. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë. Është dukshëm basketbollisti më i trofeshëm në Kosovë, me 36 trofe të fituar - 12 tituj kampioni në Kosovë, 14 Kupa të Kosovës, shtatë Superkupa, dy Liga Ballkanike si dhe Superligën e Islandës.