Sport

Kandemir: Basketbollit kosovar i duhet ndryshim i madh

Kur u largua nga Sigal Prishtina në dhjetor të vitit 2017, Ahmet Kandemir nuk ka besuar se do të kthehet sërish. Megjithatë, pesë vjet më vonë, trajneri me përvojë nga Turqia e gjen sërish veten në krye të Prishtinës.

Javën e kaluar Kandemir u zyrtarizua trajner i Prishtinës dhe prapë ka synime të mëdha me bardhekaltrit. Ai thotë se kthimi ndodhi spontanisht. Ishte pa klub dhe kur mori ofertën nga Kosova nuk hezitoi për ta pranuar.

Kjo është hera e tretë që Kandemiri e udhëheq Prishtinën. Si në dy rastet e para, erdhi për disa muaj.

Kandemiri e mori Prishtinën pasi e shkëputi kontratën me Beshiktashin, që e udhëhoqi prej vitit 2020.

“Në vitin 2017 erdha për të garuar në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup. Por pasi nuk avancuam përtej fazës së grupeve u largova dhe nuk kam menduar se do të kthehem. Punova te Beshiktashi për disa vjet dhe kur u ndava me këtë ekip e pata një hapësirë të vogël dhe mendoj se ishte fati që të kthehem sërish këtu”, është shprehur Kandemir, 52-vjeçar.

Kandemir erdhi në Prishtinë fillimisht në shkurt të vitit 2014 dhe edicionin e mbylli me triumf në Kupën e Kosovës.

Thotë se është kthyer për një sukses më të madh - titullin e kampionit të Kosovës. Sigal Prishtina nuk e ka fituar titullin e kampionit prej vitit 2019.

“Në karrierën time, shumicën e rasteve në një ekip jam kthyer disa herë. Te Karshiaka dhe Beshiktashi jam kthyer sikurse te Prishtina. Madje, te Beshiktashi u ktheva tri herë dhe tani edhe këtu është hera e tretë që punoj. Prishtina ka dy sezone që nuk e ka fituar titullin dhe duhet pranuar se Ylli ka një super ekip. Por pasi kam folur me drejtuesit e klubit kam besuar se mund ta fitojmë titullin dhe për titull jam këtu”, insistoi Kandemir.

Për dallim prej trajnerëve të tjerë që kur marrin skuadrat në gjysmë të sezonit, iu nevojitet kohë për ta njohur ekipin dhe për të aplikuar sistemin e tyre të lojës, Kandemir thotë se nuk e ka këtë problem.

Ai ndihet me fat që Prishtinën e ka drejtuar turku tjetër, Murat Bilge, të cilin e ka pasur ndihmës në të kaluarën.

Në fakt, Kandemir është trajneri i tretë turk i Prishtinës në këtë edicion. Para Bilges, që e fitoi Superkupën e Kosovës, në krye të ekipit ishte Ekrem Memnun. Memnuni ishte larguar befasisht pas ndeshjes së parë.

“Secilit trajner i duhet kohë për ta njohur ekipin dhe për ta futur në sistemin e tij, por në rastin tim situata është pak më ndryshe. E them këtë për shkak se para meje te Prishtina ka qenë ish-ndihmësi im dhe ka punuar sipas sistemit tim, gjë që është shumë e mirë për mua”, tha Kandemir.

Ai pranon se tani liga është më cilësore dhe më interesante se dy herët e kaluara. Vlerëson faktin që shumë skuadra janë në garë për titull.

“Herën e parë kur kam ardhur në vitin 2013, liga ishte shumë më e dobët pasi ishin vetëm dy ekipe të forta, Prishtina e Peja dhe palestrat ishin më të ftohta. Tani jemi në një nivel tjetër që nuk është i mjaftueshëm, por janë 5-6 ekipe që kandidojnë për titullin e kampionit dhe kjo e ka rritur dukshëm vlerën e ligës”, thekson Kandemir.

Ai megjithatë tërheq vërejtjen se basketbolli në Kosovë nuk po shkon në rrugën e duhur. Sipas teknikut të suksesshëm nga Turqia, vetëm kur të ketë më shumë lojtarë e trajnerë vendorë mund të thuhet që basketbolli është në rrugën e duhur.

Aktualisht, shtatë prej tetë skuadrave të Superligës udhëhiqen nga trajnerët e huaj.

“Nëse e forcojmë ligën nuk do të thotë se basketbolli në Kosove po shkon hapave të duhur. E shohim Slloveninë dhe Kroacinë se sa lojtarë nxjerrin, që do të thotë se basketbolli në Kosovë ka nevojë për një reformë të madhe. Ekipet çdo herë mund të marrin trajnerë dhe lojtarë të huaj, por detyra e federatës është të bëjë seminare të ndryshëm për gjyqtarë, të insistojë në zhvillimin e lojtarëve në secilin qytet dhe të ketë seminare për t’i zhvilluar trajnerët. Kështu që vetëm kur të ketë lojtarë dhe trajnerë vendorë mund të themi se liga e Kosovës është më e fortë”, shtoi Kandemir.

Kandemir karrierën si trajner e ka nisur në vitin 1997 te Beshiktashi, ndërsa kryesisht ka punuar në Turqi. Krahas Beshiktashit e Karshiakas, ka drejtuar skuadrat si Mersin, Antalya, Selçuk Universitesi, Yeshilgiresun Belediye e Trabzonspor.