Kosovare Asllani do të jetë e gatshme për ndeshjen e rëndësishme të Përfaqësueses së Suedisë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Angli. Asllani është stërvitur të hënën me pjesën tjetër të ekipit dhe pritet të jetë startuese te Suedia për ndeshjen gjysmëfinale kundër Anglisë. Kjo ndeshje zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Bramall Lane” në Sheffield prej orës 21:00.
Te Suedia nuk ishte e sigurt paraqitja e Asllanit për këtë duel të rëndësishëm, pasi 32-vjeçarja nuk kishte stërvitur dhe nuk ishte paraqitur për media që nga ndeshja çerekfinale kundër Belgjikës, që u zhvillua të premten mbrëma. Mungesa e Asllanit kishte rritur shqetësimet për një lëndim të mundshëm, por të gjitha dilemat janë larguar të hënën kur sulmuesja ka stërvitur normalisht sikurse lojtaret e tjera. Asllani është njëra prej lojtareve kryesore te Suedia në këtë Evropian, pasi në katër ndeshje të luajtura deri më tani ka shënuar një gol dhe ka bërë tri asistime.
“Kosovare Asllani nuk është as e lënduar e as e lodhur, por do të paraqitet në ndeshjen gjysmëfinale kundër Anglisë”, ka raportuar e përditshmja suedeze “Aftonbladet”. Ndërkohë gazeta tjetër “Expressen” ka shkruar se “ylli është rikthyer në ekip dhe është gati për gjysmëfinale”.
Me Asllanin në përbërje, te Suedia ka shpresa se do ta eliminojnë në gjysmëfinale Anglinë, që ka treguar paraqitje fantastike deri më tani në këtë turne. Madje mediumet britanike kanë shkruar se Asllani është lojtare që mund ta vendosë gjysmëfinalen ndaj Anglisë.
Asllani është reprezentuese e rregullt e Suedisë prej vitit 2008 dhe deri më ka shënuar 44 gola në 164 paraqitje zyrtare. Përzgjedhësi Peter Gerhardsson, trajneri i vetëm mashkull në mesin e katër skuadrave gjysmëfinaliste të “Euro 2022”, preferon të mbajë profil të ulët dhe t’i lejojë lojtaret e tij të shkëlqejnë. Nëse Suedia e mposht Anglinë, atëherë në finale do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, në të cilën përballen Franca me Gjermaninë. Gerhardsson ka thënë se tashmë e ka në kokë formacionin për ndeshjen gjysmëfinale, por nuk ka dashur ta zbulojë. Ai ka thënë se dilema e vetme e tij është sistemi i lojës, pasi deri pak para ndeshjes nuk është i sigurt nëse do të luajë 4-3-3 apo 3-4-3.
“Mendoj se formacionin tashmë e kam, por sa i përket sistemit do të konsultohem me asistentin tim. Sigurisht se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë pasi Anglia ka treguar paraqitje fantastike në këtë turne”, ka pranuar Gerhardsson.
Edhe
Kosovare Asllani pritet të jetë gati kundër Anglisë
Edhe mesfushorja e Suedisë, Filippa Angedahl, ka pranuar se Anglia llogaritet favorite në këtë përballje. Megjithatë, ajo ka shtuar se Anglia ka presion të madh për ta fituar këtë ndeshje, gjë të cilën Suedia mund ta shfrytëzojë për të avancuar në finale. Suedia ka vetëm një titull kampioni të Evropës dhe atë në vitin 1984, ndërsa në tri raste ka arritur deri në gjysmëfinale të këtij turneu. Herën e fundit, në vitin 2013 kur përfundoi e treta në Evropianin e mbajtur në Suedi.
“Anglia është favorite, sepse luan në shtëpi. Por, gjithashtu ka edhe shumë presion nga jashtë për të fituar. Kështu që, ne duhet të përfitojmë nga ky fakt dhe të kalojmë në finale. Mirëpo, nuk do të jetë lehtë”, është shprehur Angedahl.